Filmi i ri shqiptar me Kiara Titon dhe Luiz Ejllin, i zbuluar për herë të parë nga Kiara në maj, po hyn në fazën finale të realizimit dhe po nxjerr në pah detaje të reja.
Së fundmi, Luiz Ejlli publikoi posterin zyrtar në Instagram, ku filmi titullohet “Loja e Fundit” me sloganin: “Në dashuri kush nuk luan, humbet”. Ky është projekti i parë ku çifti shfaqet si protagonistë.
Skenari është shkruar nga Klaudia Brahimaj, e njohur për filmat shqiptarë “Luli dhe Goni Lemes”, “I Love Tropoja” dhe “2 Gisht Mjaltë 2”, ndërsa regjia mban firmën e Bjordi Mezinit, i cili ka realizuar edhe filmat e mëparshëm dhe serialin "H.O.T".
Luiz Ejlli, i njohur më parë për rolin në filmin “Në kuadër të dashurisë” me Olta Gixharin, do të ketë një rol të ri dhe më të thelluar, ndërsa Kiara debuton si aktore në këtë projekt. Në maj, ajo kishte zbuluar se filmi do të përfshijë edhe elemente romantike: “Sigurisht që do të ketë dashuri brenda, ku do shkojmë ne të dy pa transmetuar pak dashuri”.
Në shtator, Luiz konfirmoi fillimin e xhirimeve dhe premtoi një imazh të ri të tyre për publikun: “Do të shihni një Luiz dhe një Kiara si kurrë më parë”.
“Loja e Fundit” duket se do të jetë një romancë-komedi dhe pritet të dalë në ekran në shkurt 2026.
View this post on Instagram

