Futbollisti i kombëtares gjermane dhe ylli i Borussia Dortmund, Karim Adeyemi, është gjobitur me 450.000 euro nga autoritetet gjermane, pas zbulimit se ai mbante armë të ndaluara, përfshirë një dorezë hekuri (Schlagring) dhe një pajisje elektroshoku (Taser). Hetimi dhe masa ndëshkuese janë konfirmuar nga Prokuroria e Hagen.
Sipas medias gjermane Bild, kontrolli ndaj Adeyemit daton që nga vera e vitit 2024, periudhë në të cilën futbollisti nuk ishte grumbulluar për Kampionatin Evropian dhe po pushonte në Greqi së bashku me partneren e tij, reperen Loredana. Pikërisht në atë kohë policia ka zbuluar armët e ndaluara dhe ka nisur procedimin penal.
Në përfundim të hetimeve, gjykata ka lëshuar një urdhër-dënim që i shmang futbollistit një gjyq publik, por i sjell një gjobë të konsiderueshme – 60 ditë gjobe, me 750 euro për ditë.
Megjithëse emri i tij futet në regjistrin penal, ai nuk konsiderohet i dënuar, pasi kufiri për këtë kategorizim është 91 ditë gjobe.
Lojtari i Dortmundit nuk ka komentuar publikisht për çështjen, ndërsa klubi BVB deklaroi se “i trajton seriozisht të gjitha akuzat penale dhe i diskuton ato me lojtarët në mënyrë të brendshme”.
Rasti ka shkaktuar diskutime në Gjermani, sidomos për faktin se Adeyemi dhe Loredana shpesh publikojnë në rrjete sociale një stil jete luksoz e të guximshëm, që tashmë duket se është përplasur me ligjin./Versus.al
