MAGAZINË /

Madonna rikthehet me album të ri në 2026-n

Mbretëresha e pop-it bashkëpunon sërish me DJ Stuart Price për një projekt që synon të befasojë dhe të hapë debat

Shkruar nga Versus

Madonna rikthehet me album të ri në 2026-n

Ikona globale e muzikës, Madonna, ka njoftuar se do të rikthehet në skenën muzikore me një album të ri “dance” që pritet të publikohet në vitin 2026. Albumi do të vijë në bashkëpunim me DJ Stuart Price, producenti i suksesshëm i albumit legjendar “Confessions on a Dance Floor” (2005), që përfshinte hite të njohura si Hung Up dhe Sorry.

Në një deklaratë për mediat, Madonna është shprehur entuziaste për këtë projekt të ri që do të publikohet nga Warner Records, shtëpia diskografike me të cilën ajo nisi karrierën në vitet ‘80 dhe ku realizoi sukseset më të mëdha.

“Jam e lumtur që po rikthehem aty ku gjithçka nisi. Pres me padurim të sjell muzikë të re, të befasoj publikun dhe ndoshta të provokoj disa debate të nevojshme,” – deklaroi 67-vjeçarja.

Albumi i ri, që sipas zërave të brendshëm mund të titullohet “Back to the Dance Floor”, shihet si një rikthim në rrënjët e karrierës së Madonna-s dhe në stilin që e bëri të pavdekshme në botën e pop-it dhe muzikës elektronike.

Sipas Warner Records, bashkëpunimi me DJ Stuart Price premton një material që do të shkrijë nostalgjinë me risi, duke rikthyer energjinë e pistave të vallëzimit me një frymë të re dhe aktuale.

“Jemi të nderuar që e mirëpresim Madonna-n sërish në Warner. Ajo nuk është thjesht një artiste, ajo është një ikonë kulturore, një thyerëse rregullash dhe një forcë e papërmbajtshme,” – thanë bashkëpresidentët e Warner Records, Tom Corson dhe Aaron Bay-Schuck.

Pas një sërë projektesh të cilat nuk patën ndikimin e pritur, përfshirë albumin e fundit “Madame X” (2019), ky rikthim me Warner shënon një moment të rëndësishëm për karrierën e Madonna-s.

Ajo ishte larguar nga Warner në vitin 2007 për të firmosur një marrëveshje historike me Live Nation, por në vitin 2021, pas një periudhe reflektimi dhe riorganizimi artistik, Madonna vendosi të rikthehet te labeli që e bëri legjendë.

Poll