
Pas deklaratave të artistit Gjest se po përballet me padrejtësi dhe se për një kohë të pacaktuar nuk do të publikojë projekte të reja për shkak të mosmarrëveshjeve me distributorin e tij të mëparshëm, ka ardhur reagimi nga pala tjetër.
Erkand Shabani, drejtues i platformës Onima, shpreh publikisht “keqardhje të thellë” për ato që i cilësoi si “lajme të rreme” të shpërndara nga Gjest dhe menaxhmenti i tij.
Sipas Shabanit, konflikti lidhet me kërkesën e artistit për t’u liruar nga kontrata për shpërndarjen dhe monetizimin e veprave të tij, një marrëveshje që, sipas Onimës, është nënshkruar me vullnet të lirë dhe mbetet ligjërisht e vlefshme.
Në reagim theksohet se kërkesa e Gjestit për shkëputje të kontratës bazohet në një interpretim personal, i cili nuk përputhet me përmbajtjen e marrëveshjes ekzistuese.







