Ndeshja e dytë gjysmëfinale mes Interit dhe Barcelonës në “Giuseppe Meazza” ka dhuruar një përballje vërtet spektakolare e cila është cilësuar nga shumë analistë futbolli si më e mira e 20 viteve të fundit.
Ndeshja përfundoi me rezultatin 3-3 njëjtë si në Barcelonë, kështu që u desh që dy skuadrat të shkonin në shtesë duke luajtur në total 120 minuta dramatike.
Fillimisht Inter e nisi ndeshjen duke shënuar golin e parë në minutën e 21-të pas një kundërsulmi të shpejtë ku Lautaro Martinez arriti të finalizonte.
Në minutën e 42-të, një ndërhyrje e Pau Cubarsit ndaj Lautaro Martinezit solli një penallti që Calhanoglu e shndërroi në gol, duke e çuar rezultatin në 2-0.
Barcelona e nisi fuqishëm pjesën e dytë, duke shënuar golin e parë në minutën e 54-të me Eric Garcian, i cili goditi saktë brenda zonës pas një harkimi të saktë nga Gerard Martin, për 2-1.
Pasi Yann Sommer bëri një pritje të madhe për të ndalur një mundësi tjetër të Barcelonës, Interi e pati mundësinë për një gol tjetër, por ishte Barcelona që barazoi 2-2 në minutën e 57-të, me Dani Olmo që shënoi pas asistimit të Gerard Martin.
Në minutën e 68-të, gjyqtari akordoi një penallti për Barcelonën pas një ndërhyrje të Mkhitaryan ndaj Lamine Yamalin, por pas rishikimit të VAR, vendimi u anulua.
Barcelona vazhdoi të kërkojë golin, dhe në minutën e 88-të, Raphinha shënoi një gol pas dy tentativave, duke e çuar Barcelonën në epërsi 3-2.
Në minutat e fundit të kohës së rregullt, Interi lëshoi të gjitha forcat për të gjetur barazimin, dhe kjo i shpërbleu. Në minutën e 90+2, Francesco Acerbi shënoi një gol të bukur në zonë për 3-3, duke e çuar ndeshjen në vazhdime.
Fituesi u vendos në vazhdime. Në minutën e 99-të, Davide Frattesi shënoi golin vendimtar, duke e dërguar Interin në finale të Ligës së Kampionëve me fitore 4-3, pas një ndeshje që ofroi gjithçka.
Portieri i Interit Yan Somer u vlerësua si lojtari më i mirë i ndeshjes për zikaltërit pasi bëri të paktën 4 pritje vendimtare për ta çuar skuadrën në finale. Madje fati qe me zikaltërit kur Yamal goditi sërish shtyllën. Versus.al








