
Nga Rumania kanë ardhur së fundmi pamje të pazakonta nga një fushë futbolli në ndeshjen mes Voluntarit dhe Bihorit në ligën e dytë.
Në minutat e fundit të ndeshjes, u shënua një moment disi absurd që do të mbahet mend gjatë. Gazetari i njohur sportiv rumun, Emanuel Rosu tha se reshjet e dendura të shiut e kishin dëmtuar rëndë fushën, duke e shndërruar atë në baltë të plotë dhe duke vështirësuar zhvillimin normal të lojës.
Situata arriti kulmin pak para përfundimit të ndeshjes, kur një prej lojtarëve pësoi një dëmtim serioz.
Autoambulanca hyri menjëherë në fushë për të ofruar ndihmën e parë, por për shkak të gjendjes së rëndë të terrenit, ajo mbeti e bllokuar në baltë.
Në një skenë të pazakontë, futbollistët e të dyja ekipeve u detyruan të bashkojnë forcat për të shtyrë autoambulancën dhe për ta nxjerrë nga fusha.
Rosu ndau fotografi nga ky moment në rrjetin social X, duke e përshkruar situatën me fjalët: “Kjo është surreale, madje edhe për standardet e futbollit rumun”. Versus.al

