MAGAZINË /

Një pilot luftarak shkakton një përplasje... për të marrë foton e tij si suvenir

Fluturim për “show” që përfundoi në përplasje: piloti luftarak dënohet me 50 mijë euro. Manovra e rrezikshme për të bërë foto në ajër shkaktoi aksident mes dy avionëve, dëme të mëdha, por pa të lënduar

Shkruar nga Versus

Një pilot luftarak shkakton një përplasje... për të

Një pilot avioni luftarak nga Koreja e Jugut është dënuar të paguajë 88 milionë won (rreth 50 mijë euro) si dëmshpërblim për një përplasje ajrore që ai vetë shkaktoi në vitin 2021, pasi kërkoi të fotografohej dhe filmohej gjatë fluturimit nga kolegët e tij me telefona celularë.

Identiteti i pilotit nuk është bërë publik, por sipas raportit zyrtar të Komisionit të Verifikimit dhe Inspektimit, ai dëshironte të ruante pamje nga fluturimi i tij i fundit përpara një transferimi të ri.

Gjatë fluturimit me shpejtësi 578 km/h, ai i kërkoi pilotit të një avioni tjetër dhe një kolegu që ta fotografonin me telefonat e tyre.

Në përpjekje për të kapur këndin më të mirë, piloti kreu një manovër të pakordinuar, duke u afruar shumë me avionin tjetër. Gabimi në vlerësim çoi në përplasje mes stabilizatorit të majtë të avionit të tij dhe krahut të avionit tjetër.

Megjithëse incidenti nuk shkaktoi të lënduar, dëmet materiale arritën në rreth 878 milionë won.

Raporti thekson se manovra nuk ishte e koordinuar me pilotët e tjerë dhe se avioni arriti një kënd të pjerrësisë prej 137 gradësh, për të mundësuar filmimin nga sipër.

Fillimisht, Ministria e Mbrojtjes urdhëroi pilotin të paguante të gjithë shumën e dëmeve, por pas apelimit, komisioni vendosi që ai të paguajë vetëm 10% të kostos totale të riparimit.

Në vendim u mor parasysh fakti që edhe pilotë të tjerë kishin realizuar më parë pamje gjatë fluturimeve, si dhe që ai arriti të rikthehej në bazë pa shkaktuar dëme të tjera.

Sipas agjencisë së lajmeve Yonhap, avioni i përfshirë në incident ishte një model luftarak F-15K.

Poll