Qeveria shqiptare ka ndërmarrë veprime për t'i ofruar ndihmë këngëtares Parashqevi Simaku. Sipas burimeve për media nga Këshilli i Ministrave, Taulant Balla, ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe koordinator për diasporën, është ngarkuar për të ndjekur këtë rast.
Mësohet se Balla dhe stafi diplomatik shqiptar në Nju Jork janë angazhuar për të siguruar dokumente identifikuese për artisten, e cila gjatë viteve të fundit kishte kaluar në gjendje të vështirë dhe nuk dispononte asnjë dokument identifikimi.
Në këtë kontekst, është zhvilluar një takim në konsullatën shqiptare në Nju Jork, me synimin për ta ndihmuar këngëtaren në dy aspekte: sigurinë e një pasaporte shqiptare dhe ndërmjetësimin me autoritetet amerikane për të përcaktuar mundësitë e rifreskimit të dokumentacionit të saj ose fillimin e një procedure të re për të marrë dokumente identifikimi dhe qëndrimi.
Megjithatë, siç raportojnë burimet, ky proces është ende në fazë fillestare dhe nuk ka ndonjë rezultat konkret deri tani. Suksesi i këtij angazhimi do të varet nga gatishmëria e Parashqevi Simakut për t'u përgjigjur kërkesave të autoriteteve shqiptare ose amerikane gjatë zhvillimit të këtyre procedurave./Versus.al








