
Inter është përfshirë nga përplasjet e lojtarëve më të përfolur të skuadrës pas humbjes turpëruese ndaj Fluminese në Kupën e Botës për klube. Tensionet arritën kulmin pasi kapiteni Lautaro Martinez shigjetoi disa lojtarë duke u kërkuar të largohen nëse nuk duan ta veshin fanellën zikaltër.
“Kushdo që nuk dëshiron të jetë këtu, duhet të largohet. Kam parë gjëra që nuk më pëlqyen. Ne kemi nevojë për lojtarë që duan të veshin këtë fanellë dhe kanë mentalitet fitues”- tha Lautaro.
Deklarata u interpretua menjëherë si një thumb ndaj disa bashkëlojtarëve, dhe presidenti i Interit, Giuseppe Marotta, e konfirmoi hapur: “Ai nuk e tha me emër, por po e them unë: ishte për Hakan Calhanoglu.”
Nuk ka vonuar as reagimi i menjëhershëm i mesfushorit turk i cili e humbi kompeticionin për shkak të një dëmtimi që pësoi gjatë fazës përgatitore. Familja e tij reagoi menjëherë, duke nisur me një postim nga bashkëshortja e tij, Simen: “Disa njerëz nuk janë besnikë ndaj teje. Janë besnikë ndaj nevojës për ty. Sapo ndryshon nevoja, ndryshon edhe besnikëria.”
Më pas reagoi vetë Hakan Calhanoglu me një postim të gjatë emocional në Instagram, duke shpjeguar situatën dhe shpërthyer ndaj kritikave: “Pas dëmtimit në finalen e Champions-it, vendosa të shkoja me ekipin në SHBA, edhe pse nuk isha në gjendje të luaja. Doja të isha pranë skuadrës. Aty pësova një dëmtim tjetër, një këputje muskuli dhe nuk isha në gjendje të luaja. Nuk ka asnjë prapaskenë.”
Calhanoglu shtoi se e përjetoi eliminimin me dhimbje dhe trishtim, por ajo që e lëndoi më shumë ishin “fjalët që ndajnë, jo që bashkojnë”.
“Nuk kam gjetur kurrë justifikime. Kam luajtur me dhimbje dhe kam qenë gjithmonë i gatshëm. Kam marrë oferta të rëndësishme, por kam zgjedhur të qëndroj te Interi. Sepse e dua këtë fanellë. E ardhmja? Do ta shohim. Por historia do të kujtojë ata që qëndruan në këmbë, jo ata që ngritën zërin më fort.” Versus.al







