Një ndeshje miqësore që duhej të shërbente për përgatitjet e sezonit të ri, përfundoi me pamje të shëmtuara dhe të papranueshme në stadiumin “Elbasan Arena”. Pas përfundimit të sfidës mes Elbasanit dhe Pogradecit, tensionet mes lojtarëve degjeneruan në një përleshje fizike.
Fillimisht, përplasja nisi mes disa lojtarëve në fushë, por situata u përshkallëzua me shpejtësi kur në konflikt u përfshinë edhe pjesëtarë të stafit teknik. Në kulmin e kaosit, disa tifozë zbresin nga tribunat dhe hyjnë në fushë, duke sulmuar lojtarët e Pogradecit dhe duke hedhur objekte në drejtim të tyre.
Skenat e dhunës zgjatën disa minuta, derisa skuadra mike u tërhoq drejt dhomave të zhveshjes, ndërkohë që atmosfera në stadium mbeti e tensionuar dhe jashtë çdo standardi sportiv.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në rrjetet sociale dhe në mediat sportive, ndërsa pritet që Federata Shqiptare e Futbollit të ndërhyjë me masa disiplinore për të shmangur përsëritjen e ngjarjeve të tilla në të ardhmen. /Versus.al







