
Dua Lipa ka lansuar markën e saj të kujdesit për lëkurën, DUA, e cila shfrytëzon shkencën e njohur të Dr. Augustinus Bader dhe premton rezultate të shkëlqyera në botën e bukurisë.
Këto tre vite, Lipa ka bashkëpunuar me ekipin e Augustinus Bader për të krijuar një linjë “produkteve thelbësore të përditshme”, të dizajnuara për t’u përdorur në rrugë ose në shtëpi, duke ruajtur shëndetin dhe shkëlqimin e lëkurës.
Produktet përfshijnë DUA Balancing Cream Cleanser, Supercharged Glow Complex dhe Renewal Cream, të cilat janë të pasuruara me TFC5, një version të përmirësuar të kompleksit ikonë TFC8 të markës.
TFC8 u zhvillua fillimisht për kremat mjekësorë të Dr. Bader për të ndihmuar shërimin e lëkurës së dëmtuar nga djegiet, duke aktivizuar qelizat staminale për rigjenerim.
Adaptimi i kësaj teknologjie për produktet komerciale është çelësi i suksesit të jashtëzakonshëm të markës Augustinus Bader, e cila u bë një biznes miliardësh brenda katër viteve nga lansimi.
Për markën DUA, ekipi ka përpunuar këto veti riparuese në formë më të butë, duke krijuar TFC5, i përshtatshëm për lëkurën e moshës 18-35 vjeç.
Ky kompleks kombinohet me peptide biomimetike, proteina që mbajnë lagështinë dhe antioksidantë mbrojtës, për të parandaluar plakjen, për të ruajtur pamjen e rinisë dhe për të trajtuar problemet e zakonshme të lëkurës së re, si njollat, shenjat e akneve, yndyra dhe pigmentimi.
