Agim Zeka ka nisur një aventurë të re në karrierën e tij futbollistike. 26-vjeçari, i cili së fundmi ishte pjesë e Partizanit të Tiranës, është transferuar zyrtarisht te Real Murcia, klub historik që aktualisht militon në ligën e tretë spanjolle, të njohur si Primera Federación.
Ky është eksperienca e parë e Zekës në futbollin spanjoll, pas përvojave në Francë dhe Portugali. Kalimi te Real Murcia shihet si një mundësi për të rigjetur formën dhe për të rilançuar karrierën në një kampionat teknikisht të avancuar dhe shumë konkurrues.
Zeka u largua nga Partizani pak ditë para nisjes së ndeshjeve europiane, duke mbyllur me mirëkuptim kontratën me klubin kryeqytetas. Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, ai shënoi dy gola dhe u dallua për shpejtësinë dhe aftësitë individuale, gjë që i solli edhe një ftesë nga Kombëtarja shqiptare, edhe pse ende nuk ka debutuar në ndeshje zyrtare.
Real Murcia, megjithëse aktualisht në një kategori më të ulët, është një klub me histori të gjatë në futbollin spanjoll, me objektiva të qarta për rikthimin në nivelet e larta të La Liga-s. Zeka pritet të jetë një nga pikat kyçe të repartit ofensiv për sezonin e ri.
Për sulmuesin shqiptar, kjo është një mundësi për të treguar vlerat në një ambient të ri dhe për të synuar një rikthim të mundshëm në arenën ndërkombëtare, qoftë me një transferim të ri apo me një rikthim në Kombëtare, këtë herë edhe me minuta në fushë.
Zeka, me energjinë dhe përvojën e fituar në disa kampionate europiane, ka potencialin për të lënë gjurmë në Murcia dhe për të treguar se ende ka shumë për të dhënë në futbollin profesionist. /Versus.al







