
CEO-ja i kompanisë teknologjike që ndodhet në qendër të skandalit tashmë të njohur si “puthja në koncertin e Coldplay” ishte "tepër afër" me drejtoreshën e HR-së shumë kohë përpara se të kapeshin në ekranin gjigant të stadiumit, sipas pamjeve të reja të publikuara.
Andy Byron, 50 vjeç, ish-drejtuesi i firmës miliarda-dollarëshe të inteligjencës artificiale Astronomer, u filmua duke u treguar tepër intim me drejtoreshën e burimeve njerëzore, Kristin Cabot, 52 vjeç, gjatë koncertit të Coldplay në stadiumin e mbushur plot në Gillette Stadium në Boston, të martën.
Videoja e re, e siguruar nga TMZ, i tregon të dy duke ndarë një moment intim teksa grupi performonte këngën hit "Yellow", duke u përqafuar dhe lëkundur në ritmin e muzikës, përballë mijëra fansave, ndërsa stadiumi ndriçohej nga dritat e telefonave.
“Pamjet nga mbrapa tregojnë një ndërveprim shumë më intim,” shton media, duke sugjeruar se afërsia mes çiftit nuk ishte një moment i çastit – por diçka shumë më e njohur dhe e vazhdueshme.
Videoja e filmuar nga pas karrigeve të tyre tregon Byron teksa përkulet për të puthur Cabot, ndërsa ata përqafohen fort.
Të dy duken të relaksuar dhe pa asnjë shqetësim, krejtësisht të pavetëdijshëm se vetëm pak çaste më vonë do të përfundonin në qendër të vëmendjes virale – dhe të një skandali – kur pamjet u shfaqën në ekranin gjigant të stadiumit.
Kur këngëtari i Coldplay, Chris Martin, pa çiftin në ekranin gjigant, bëri një koment thumbues: “Ose po kanë një lidhje jashtëmartesore… ose janë shumë të turpshëm.”
Publiku shpërtheu në të qeshura, ndërsa Andy Byron uli menjëherë dorën, u përkul pas një barriere dhe uli shikimin nga toka.
Kristin Cabot u kthye me shpejtësi, mbuloi fytyrën me të dyja duart dhe u fsheh pas një gruaje tjetër që ndodhej pranë saj. Ajo gjithashtu duket se shqiptoi diçka drejt asaj gruaje përpara se të fshihej pas saj, në një përpjekje për t’u mbrojtur nga syri i publikut.
Gruaja e dytë u duk e zënë ngushtë, duke nxitur spekulime online se mund të kishte dijeni për atë që po ndodhte dhe se mund të ishte edhe ajo një punonjëse e Astronomer – gjë që kompania më pas e mohoi.
Reagimi i ngathët i çiftit, së bashku me komentin therës të Martin, e bënë momentin viral në rrjete sociale, ku shumë përdorues nisën të spekulonin se Cabot ishte “dashnorja” e drejtuesit të martuar të firmës teknologjike.
Pasojat nuk vonuan. Byron, i cili u pezullua menjëherë pas incidentit, dha zyrtarisht dorëheqjen dje, ndërsa Astronomer vazhdon hetimin e brendshëm për ngjarjen./Versus.al







