MAGAZINË /

Rast i paprecedent në Europë/ Sp*rma e një dhuruesi me mutacion të rrallë kancerogjen përdoret për të ngjizur 67 fëmijë

Rasti i paprecedentë ngre shqetësime në lidhje me mungesën e kufizimeve të dakorduara ndërkombëtarisht për përdorimin e spermës së donatorëve.

Shkruar nga Versus

Rast i paprecedent në Europë/ Sp*rma e një dhuruesi me mutacion

Një rast shqetësues ka dalë në dritë në Evropë, ku sperma e një burri që përmbante një mutacion të rrallë gjenetik të lidhur me kancerin është përdorur për të konceptuar të paktën 67 fëmijë, prej të cilëve 10 janë diagnostikuar me kancer.

Rasti ka ngritur shqetësime serioze për mungesën e një kuadri rregullator ndërkombëtar mbi kufizimin e përdorimit të spermës nga dhuruesit.

Ekspertët kanë paralajmëruar edhe më parë për rreziqet sociale dhe psikologjike të përdorimit të spermës së të njëjtit dhurues për lindjen e shumë fëmijëve në vende të ndryshme.

Rasti i fundit, që përfshin lindjet e ndodhura midis viteve 2008 dhe 2015, nënvizon sfidën për të identifikuar familjet kur shfaqet një problem serioz mjekësor.

“Duhet të vendoset një kufi europian për numrin e lindjeve ose familjeve për çdo dhurues,” deklaroi Dr. Edwige Kasper, biolog në spitalin universitar të Rouen në Francë, gjatë konferencës vjetore të Shoqatës Evropiane të Gjenetikës Humane në Milano.

Rasti doli në dritë kur dy familje kontaktuan klinikat e fertilitetit pasi fëmijët e tyre u diagnostikuan me kancer të lidhur me një mutacion të rrallë në gjenin TP53.

Ky mutacion, sipas analizave të kryera nga laboratori i Dr. Kasper, mund të shkaktojë sindromën Li-Fraumeni, një nga predispozitat më të rrezikshme trashëgimore për zhvillimin e kancerit.

Në kohën e dhurimit (2008), mutacioni nuk ishte i njohur si i lidhur me kancerin dhe nuk mund të zbulohej me teknikat standarde të kontrollit.

Dhuruesi vetë është në gjendje të mirë shëndetësore. Megjithatë, 23 nga 67 fëmijët e analizuar nga 46 familje në 8 vende evropiane u gjetën të kishin mutacionin, dhe 10 prej tyre janë tashmë të diagnostikuar me kancer, përfshirë raste të leuçemisë.

“Nuk mund të analizojmë gjithë gjenomin e çdo dhuruesi,” shtoi Kasper, “por ky është një rast i përhapjes së rrezikshme të një sëmundjeje gjenetike. Nuk është normale që një burrë të ketë 75 fëmijë në gjithë Evropën.”

Zyrtarët dhe mjekët vënë theksin te mungesa e një sistemi të përbashkët për gjurmimin e përdorimit të dhuruesve dhe informimin e familjeve në rast të zbuluar të rrezikut.

Hudson, një tjetër ekspert, tha:

“Rasti tregon domosdoshmërinë e një qasjeje të përbashkët ndërkombëtare për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla. Duhet të kemi sisteme më të mira për ndjekjen dhe njoftimin e marrësve.”

Nga ana e saj, përfaqësuesja e Bankës Evropiane të Spermës, Julie Paulli Budtz, tha:

“Jemi thellësisht të prekur nga ky rast.” Ajo sqaroi se dhuruesi ishte kontrolluar me kujdes, por shtoi:

“Shkencërisht është e pamundur të zbulojmë çdo mutacion të dëmshëm nëse nuk dimë çfarë të kërkojmë. Ne mbështesim vendosjen e një limiti të detyrueshëm ndërkombëtar për numrin e familjeve që mund të përdorin spermën e një dhuruesi. Për këtë arsye, ne kemi vendosur në mënyrë parandaluese kufirin tonë prej 75 familjesh për çdo dhurues.”/Marrë nga TheGuardian përshtati në shqip Versus.al

 

Poll