
Një zbulim arkeologjik me rëndësi të jashtëzakonshme ka dalë në dritë në Bolivi, ku studiuesit kanë identifikuar një tempull fetar para-Inka në pllajat e larta të vendit. Tempulli i zbuluar, i njohur si Palaspata, pritet të sjellë një perspektivë të re mbi shtrirjen dhe kompleksitetin e qytetërimit Tiwanaku, pararendës i famshëm i Perandorisë Inka.
Tempulli ndodhet në departamentin Oruro, rreth 215 kilometra në jug të La Paz, në majën e një kodre që për shekuj me radhë kishte qëndruar i pazbuluar, pavarësisht se përmes tij kalonte një shteg vendas dhe një rrugë kombëtare ndodhet vetëm 250 metra larg.
Zbulimi i natyrës së tij u konfirmua vetëm javën e kaluar, sipas një publikimi nga arkeologu José Capriles i Universitetit Shtetëror të Pensilvanisë. Sipas tij, tempulli është ndërtuar mes viteve 600 dhe 1000 pas Krishtit dhe përbën një zbulim thelbësor për të kuptuar vërtet shkallën e zhvillimit të qytetërimit Tiwanaku.
“Kjo është një zbulim i rëndësishëm, pa asnjë dyshim”, u shpreh Capriles për agjencinë AFP. “Tregon se Tiwanaku ishte një shoqëri shumë më komplekse nga sa është pranuar më parë në qarqet akademike.”
Deri më sot, mendohej se qytetërimi Tiwanaku ishte përqendruar kryesisht përreth liqenit Titikaka, ku gjenden dhe tempujt e tyre më të njohur, ndërtuar me blloqe guri të prerë me saktësi milimetrike. Por Palaspata dëshmon për një planifikim strategjik dhe për një rrjet të zgjeruar që shtrihej shumë më tej sesa mendohej.
Sipas Capriles, tempulli kishte jo vetëm funksion fetar, por edhe rol rregullator të trafikut të njerëzve dhe mallrave mes altiplanos dhe rajonit të Cochabamba-s në qendër të Bolivisë.
Zbulimi nisi në vitin 2021, kur gjatë punimeve për zgjerimin e rrugës përreth, u gjetën enë qeramike prehispanike. Kjo çoi në nisjen e kërkimeve më të thelluara, që falë analizave satelitore çuan në identifikimin e tempullit si pjesë e trashëgimisë Tiwanaku.
Struktura e zbuluar përfshin një sipërfaqe prej 1.8 hektarësh, por besohet se i gjithë vendbanimi përreth mund të ketë shtrirë deri në 75 hektarë.
Aktualisht, vendi nuk është gërmuar plotësisht. Sipas Juan Carlos Cordero, zëvendësministër i Trashëgimisë, Ministria e Kulturës do të nisë së pari një proces konsultimi me banorët vendas dhe do të vendosë masa për mbrojtjen e zonës, përpara se të vijojnë gërmimet shkencore.
Ky zbulim hedh dritë mbi një pjesë ende të pazbuluar të historisë së Amerikës së Jugut dhe risjell në vëmendje pasurinë kulturore që fshihet nën dheun e rajoneve ende të pashkruara.







