Aktori i njohur i humorit nga spektakli “Portokalli”, Akil Varfi, ka ndarë një nga momentet më të errëta dhe të dhimbshme të jetës së tij gjatë një interviste në emisionin “S’e Luan Topi”. Me lot në sy, ai ka kujtuar periudhën kur, për të shpëtuar familjen nga varfëria, mori një vendim të vështirë që e çoi drejt një realiteti të ashpër në kampet e emigracionit në Gjermani.
Akili tregoi se në moshën 16-vjeçare, mori para borxh dhe organizoi ikjen e gjithë familjes drejt Gjermanisë, në një përpjekje për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Por ajo që i priste atje, nuk ishte aspak ajo që kishte imagjinuar.
“Kushtet në kamp ishin të tmerrshme. Kishim vetëm një racion ushqimor në ditë. Vidha bukë, sepse kisha frikë për familjen time. Shkoja nga një sportel te tjetri për të marrë më shumë bukë, e fusja në çantë pa u parë. Ndihesha fajtor, kisha marrë me vete mamin, babin, motrat… dhe mendoja: ‘Ku dreqin i solla?’”
Varfi rrëfeu se nuk flinte nga frika, ndërsa stresi dhe ndjenja e përgjegjësisë për familjen e rëndonin çdo ditë. Pas një muaji të vështirë, jeta e tyre filloi të ndryshojë për mirë.
Megjithatë, historia e tij me Gjermaninë nuk përfundoi aty.
Në moshën 21-vjeçare, Akili u kthye sërish në Gjermani, por përfundoi pas hekurave për tre muaj, pasi kishte shkelur afatin e qëndrimit nga vizita e mëparshme.
“Më izoluan për katër ditë në një dhomë të errët, me një dritare shumë të vogël. Babai nuk dinte nëse isha gjallë apo jo. Ishte periudha më e vështirë. Më pas arrita të gjej një adresë dhe i shkrova babit në Facebook.”- kujton aktori shkodran që sot duket se e ka hedhur pas kurrizit emigracionit dhe po njeh sukses në botën e artit, ku prej kohësh tashmë i janë hapur dyert.







