Mario, i ati i Beatriçe Gjergjit, e cila së bashku me Kolë Lacën do të na përfaqësojnë me “Zjerm” në Eurovision, ka folur në një intervistë për emisionin “Në Shqipëri”. Mario u shpreh se po përjeton emocione të forta dhe së bashku me të shoqen, kanë 2 muaj që nuk flenë.
“Janë disa emocione të forta. Kemi rreth dy muaj, që unë dhe gruaja ime nuk flemë. Mundohemi të sjellim më të mirën e mundshme për vendin tonë”, tha ai në intervistën virtuale.
Më tej, Mario, me krenari, shtoi se kënga “Zjerm” ka dalë nga vetë shpirti i Beas:
“Kënga “Zjerm” ka dalë nga shpirti i saj. Janë të gjitha fjalë shpirti. Për mua, kjo këngë është si të jetë pjesë e trupit. Gjithkund më shoqëron. Jam habitur që kjo këngë ka kënaqur dhe popujt e botës. Kjo është një këngë ku Kola dhe Beatriçe, kanë bërë një miks të jashtëzakonshëm. Kanë gjetur një gjuhë dhe dashuri për vendin e vet. Vajza ime dhe Kola, të rinjtë i kanë futur në një dashuri të madhe për kombin”.
I ati i Beatriçes foli edhe për natyrën e thjeshtë të së bijës, duke treguar se ajo ka miqësi me të gjitha grupet e Eurovision-it:
“Beatriçja ka një natyrë që është njeri i thjeshtë, atë që ka e shpreh’ me thjeshtësinë e saj. Ajo ka shoqëri me të gjitha grupet e Eurovision-it”.
Ai ceku edhe frikën që ka pasur se mos Bea, e rritur në Itali, i largohej identitetit të saj kulturor, duke thënë se fillimisht, Beatriçes nuk i pëlqente shumë muzika shqiptare.
“(Është) e rritur me këngë shkodrane, ia injektoja sa më shumë, por nuk i pëlqente shumë muzika jonë… Kishte një zë të bukur, por më dukej sikur po më dilte ‘nga shinat’”.
Mario theksoi gjithashtu se të gjithë në familjen Gjergji këndojnë dhe se kanë muzikën në gjak.







