Banorja e “Big Brother VIP 5”, Selin Bollati, ka bërë një deklaratë bombë gjatë prime-it të së shtunës, duke akuzuar publikisht prezantuesen dhe influenceren Marina Vjollca se i kishte kërkuar të jepte një deklaratë të rreme për të krijuar jehonë mediatike.
Gjatë një momenti publiciteti, teksa rregullonte dhuratat nga sponsorët mes të cilave edhe një produkt nga brandi i Marina Vjollcës Selin foli me DJ Gimbos dhe tregoi një episod të mëparshëm:
“Ka qenë prezantuese këtu te Topi, tani ka bërë këtë brand-in. Më ka ftuar njëherë në emision, për një panel sportiv dhe më ka thënë:
‘Do dalësh dhe do thuash që më ka ngacmuar një futbollist i Spanjës. Se bëhet virale’. Unë i kam thënë ‘jo’. Dhe prej kësaj unë nuk i kam…”, tha ajo ku vazhdimi i fjalisë u tha me zë të ulët dhe nuk u kuptua qartë nga mikrofoni.
Deklarata ka ngritur menjëherë pikëpyetje serioze për kohën kur supozohet të ketë ndodhur ngjarja.
Selin Bollati ka lindur në vitin 2002, pra nëse ftesa ka qenë gjatë periudhës kur Marina Vjollca moderonte “Procesin Sportiv” në Top Channel (deri në 2017), ajo do të kishte qenë maksimumi 15-vjeçe – ose edhe më e vogël.
Kjo do ta bënte pretendimin për ftesën e një të miture për të akuzuar publikisht një futbollist spanjoll “që të bëhej virale” jashtëzakonisht shqetësues.
Nga ana tjetër, Marina Vjollca ka qenë prezantuese e emisionit “Kampionët” në TV Klan gjatë Euro 2024, çka lë hapur mundësinë që Selini t’i referohet një paneli më të vonshëm. Selin vetë ka pasur lidhje të ngushta me TV Klan: ka qenë balerinë në “E diela shqiptare” dhe ka prezantuar “Kënga Magjike 2024”.
Deri tani, Marina Vjollca nuk ka dhënë asnjë reagim publik ndaj akuzës së Selin Bollatit.

