MAGAZINË /

Shpërthim i fortë i Erkand Qerimajt pas Europianit të Peshëngritjes: “Padrejtësi, heshtje e turp për sportin shqiptar”

Peshëngritësi që ka ngritur Shqipërinë në podiumet më të mëdha akuzon federatën për mungesë mbështetjeje dhe standardesh minimale

Shkruar nga Versus

Shpërthim i fortë i Erkand Qerimajt pas Europianit të

Një nga emrat më të njohur të peshëngritjes shqiptare, Erkand Qerimaj, ka shpërthyer publikisht pas përfundimit të garës në Kampionatin Europian, duke denoncuar atë që ai e cilëson si “padrejtësi të pastër” dhe “heshtje të papranueshme” nga drejtuesit sportivë.

Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, Qerimaj, sportisti që ka sjellë disa herë Shqipërinë në podiumet më të rëndësishme të peshëngritjes europiane dhe botërore, ka treguar detaje nga gara dhe zhgënjimin e thellë me vendimet e gjyqtarëve.

“Realizova 152 kg në shkëputje dhe tentova rekordin e Europës me 157 kg. Në shtytje bëra 184 kg – provë e pastër me 3 të bardha nga gjyqtarët. Por juria vendosi ta anulojë për një lëkundje minimale. Kjo nuk është thjesht vendim, është padrejtësi e pastër dhe e turpshme,” shkruan ai.

Por për sportistin, zhgënjimi nuk ndalet vetëm te vendimi teknik.

Ai hedh akuza të drejtpërdrejta ndaj drejtuesve të federatës, duke thënë se kanë munguar totalisht në mbrojtjen e sportistëve në momentet vendimtare.

“Drejtuesit ishin aty me lekët e taksapaguesve dhe nuk patën as guximin minimal për të mbrojtur sportistin e tyre. Asnjë reagim, asnjë protestë,” thekson Qerimaj.

Në reagimin e tij, ai ngre edhe shqetësime të forta për kushtet e përfaqësimit të Shqipërisë në garat ndërkombëtare.

“Jemi i vetmi ekip në Europë pa uniforma dinjitoze, pa fizioterapist, pa mjek, pa standarde bazë. Dhe pastaj flasim për rrugën drejt Europës? Kjo është skandaloze,” shprehet ai.

Qerimaj shkon më tej duke kërkuar transparencë mbi fondet publike të sportit, për të cilat thotë se mungon çdo lloj kontrolli apo auditimi.

“Fondet vijnë çdo vit, por askush nuk jep llogari. Kam kërkuar auditim, zero përgjigje. Kjo federatë sillet si pronë private,” deklaron ai.

Në fund të mesazhit të tij, një prej emrave më të suksesshëm të peshëngritjes shqiptare mbyll me një apel të fortë:

“Stop heshtjes. Boll me abuzim. Sportistët nuk janë dekor për foto. Ata mbajnë peshën reale të përfaqësimit të vendit.”

Poll