
Protesta në Zvërnec ngjalli shumë kritika mes qytetarëve përsa i takon mënyrës sesi persona të maskuar dhunonin protestuesit dhe policia nuk ndërhynte në asnjë moment. Një pjesë e zemërimit të tyre u drejtua edhe ndaj figurave të njohura publike të cilët duket se kishin zgjedhur të heshtnin për projektin që solli edhe rrethimin e zonës aq të lakmuar.
Megjithatë së fundmi duket se disa prej artistëve kanë “reflektuar” dhe kanë vendosur të reagojnë. Me pastime në rrjete sociale, reperi Noizy dhe këngëtari Alban Skënderaj kanë shprehur kundërshtinë e tyre për projektin në Zvërnec duke theksuar se nuk duhet që çdo gjë të betonizohet dhe kudo të ketë ndërhyrje për të tjetërsuar atë që Zoti e ka krijuar.
Noizy, i cili u përmend në këtë çështje për shkak se personi që dhunonte qytetarët, Gerald Biba ka qenë më herët truproja e tij, shkruan në Instagram se Shqipëria dhe Zvërneci nuk është pronë private e askujt dhe se shqiptarët dinë të bëhen bashkë kur preket identiteti dhe toka.
Nga ana tjetër Alban Skënderaj me një postim të gjatë ngriti pikëpyetjet përse po veprohej me një nxitim kaq të shtuar duke rrethuar zonën me tela me gjemba dhe nuk ishin sqaruar qytetarët se për çfarë projekti bëhet fjalë. Versus.al

