Claudia Goulart, nëna e volejbollistes braziliane të ekipit të Dinamos, Nayara Ferreira, ka reaguar për ngjarjen që ka tronditur sportin shqiptar, pas vendimit të Federatës së Volejbollit për ta pezulluar vajzën e saj derisa t’i nënshtrohet të ashtuquajturit “test i gjinisë”.
Në një mesazh dërguar Top Channel, ajo është shprehur e tronditur dhe thellësisht e mërzitur për situatën, duke theksuar se vajza e saj është femër dhe se po kalon një periudhë shumë të vështirë.
“Përshëndetje, jam nëna e Nayarës dhe jam shumë e lumtur që po e mbështesni vajzën time. Fatkeqësisht, jam shumë larg saj dhe më vjen keq që ajo po vuan. Do të doja që një avokat të merrte përsipër këtë çështje dhe të mbante përgjegjës ata që po e bëjnë të kalojë këtë situatë të padrejtë,” – është shprehur Claudia Goulart.
Nëna e sportistes ka dërguar edhe një fotografi të fëmijërisë së Nayarës, si provë për të treguar se ajo është vajzë që në lindje dhe për të mbyllur çdo lloj dyshimi mbi gjininë e saj.

“Ajo është një vajzë që e do e gjithë familja e saj, pasi ajo është rritur vetëm nga unë. Kam qenë nënë dhe baba për të dhe kjo që po ndodh është e pafalshme. Uroj që drejtësia të merret me këtë gjë dhe ajo të kompensohet për të gjithë dëmin moral që po i shkaktohet dhe të ndëshkohen të gjithë njerëzit e këqij që i janë vënë kundër”, është shprehur nëna e volejbollistes.
Duke apeluar sërish për mirëkuptim dhe ndjeshmëri ndaj një vajze të huaj, mijëra kilometra larg shtëpisë, e vetme dhe e përballur pa dëshirën e saj me një furtunë mediatike e publike, nëna e Nayarës ndan një moment të thellë njerëzor e prekës një copëz intime familjare, plot dhimbje dhe ndjenjë.
“Ajo padyshim që është femër dhe më vjen keq për ca po ndodh, që e vogël është rritur me trauma, duke parë babain e saj se si më dhunonte, kur isha ende e martuar”, shprehet e ëma e voljebollistes./Versus.al
