
Nga dita e sotme, Sylvinho Mendes Campo nuk është më trajner i kombëtares shqiptare.
Në këtë datë, Sylvinhos i ka përfunduar kontrata e firmosur me Federatën Shqiptare të Futbollit, ndërsa aktualisht ndodhet me pushime me familjen e tij në Porto, ashtu siç deklaroi edhe për mediat ditë më parë.
Menjëherë pas përfundimit të aventurës së Shqipërisë në kampionatin europian, ndaj tij ka pasur oferta të majme me pagesa shumë më të larta sesa FSHF mund të ofrojë. Megjithatë, Sylvinho nuk e pati me ngut të lajmëronte nëse do të rinovonte kontratën me kombëtaren shqiptare, duke u shprehur se ishte me pushime.
Pavarësisht se pasi u largua nga Tirana më 27 qershor, Sylvinho u shpreh se do të rikthehej pas një jave për të vendosur lidhur me vazhdimin ose jo të kontratës së tij, një gjë e tillë nuk ka ndodhur duke lënë dyshime se mund të firmosë me një tjetër skuadër, pas aventurës në Shqipëri ku arriti objektivin për ta kualifikuar ekipin në “Euro 2024”.
Kombëtarja e drejtuar prej tij, nuk shkoi më shumë se faza e grupeve në herën e dytë të historisë që vendi ynë ishte kualifikuar në një europian. Ekipi ia doli të merrte një barazim ndaj Kroacisë me rezultatin 2-2. Ndërsa u mposht nga Italia (2-1) dhe Spanja (1-0) duke u skualifikuar në fazën e grupeve. Versus.al








