
Sulmuesi Erling Haaland ka shprehur simpati për Dominik Szoboszlai pasi mesfushori i Liverpoolit u përjashtua me karton të kuq në fundin kaotik të përballjes me Manchester Cityn në “Anfield”.
Mysafirët fituan 2-1, duke i dhënë një goditje tjetër shpresave të “Reds” për top katërshe dhe duke forcuar gjasat e tyre për t’iu afruar Arsenalit në krye të tabelës së Ligës Premier.
Sidoqoftë një rast i çuditshëm ndodhi në fund, kur e tërë skuadra e Liverpoolit po sulmonte me të gjithë lojtarët, përfshirë portierin Alisson.
Me Alissonin që ishte hedhur përpara për të ndihmuar ekipin të gjente golin e barazimit, Rayan Cherki goditi drejt portës, ndërsa Haaland dhe Szoboszlai vrapuan pas topit.
Ky i fundit e tërhoqi fanellën e norvegjezit, ndërsa Haaland reagoi në të njëjtën mënyrë, duke i rrëzuar të dy, teksa topi përfundoi në rrjetë. Fillimisht City mendoi se kishte shënuar për 3-1, por gjyqtari Craig Pawson u udhëzua nga VAR ta rishikonte incidentin, duke bërë që goli të anulohej dhe Szoboszlai të ndëshkohej me karton të kuq.
Duke folur për Sky Sports pas ndeshjes, Haaland tregoi simpati për ish-bashkëlojtarin e tij te Red Bull Salzburg, duke insistuar se goli duhej të pranohej dhe Szoboszlai të mos ndëshkohej me karton të kuq.
“Për mua, natyrisht gjyqtari duhet t’i ndjekë rregullat, por kjo do t’i sjellë atij tri ndeshje pezullim dhe në fund më vjen keq për të. Ai merr tri ndeshje (suspendim), thjesht jepeni golin, mos jepni karton të kuq, kaq e thjeshtë. Por këto janë rregullat dhe kështu është. Nuk e di, në fund Cherki vetëm ma pasoi topin që të shënoja, por kështu ndodhi.”- u shpreh norvegjezi. Versus.al

