
Ajo që dikur dukej si një rast i rrallë, sot po kthehet në një trend në rritje, i ndihmuar nga ekspozimi në rrjete sociale dhe nga puna e profesionistëve të fushës së eventeve.
Në një intervistë për “Monitor”, Armand Peza, drejtues i “Geraldina Sposa”, tregon pse çiftet nga vende si Italia, Portugalia, Kanadaja apo Turqia po e shohin Shqipërinë si skenën e përsosur për ditën e tyre më të rëndësishme.
Ai flet për destinacionet më të kërkuara, arsyet pse Tirana mbetet zgjedhja më praktike, avantazhet krahasuese me rajonin dhe se si ky trend po ndikon pozitivisht në ekonominë dhe imazhin e vendit.
Së fundmi vihet re një rritje e numrit të çifteve të huaja që zgjedhin Shqipërinë për të kurorëzuar dashurinë e tyre. Çfarë i tërheq më shumë: natyra, çmimet apo diçka tjetër?
Në fakt, kemi pasur gjithmonë raste të tilla, por së fundmi, falë rrjeteve sociale, këto raste janë bërë të pranishme edhe për publikun e gjerë, i cili edhe pse mund të mos ketë interes të drejtpërdrejtë për këtë lloj eventesh, sërish memorizon faktin që çifte të huaja zgjedhin të organizojnë dasmën e tyre në Shqipëri.
Materialet ilustruese të publikuara në rrjete sociale për arsye marketingu (video dhe fotografi) tregojnë se çiftet protagoniste, të cilët dukshëm nuk janë shqiptarë dhe ndoshta nuk kanë ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me Shqipërinë, kanë vendosur që dasmën ta bëjnë pikërisht këtu.
Në rastet konkrete ku kemi punuar, çiftet e huaja që u kemi organizuar eventet kanë qenë të paktën një herë për turizëm në Shqipëri, të shoqëruar nga miq shqiptarë, ose njëri prej partnerëve ka pasur raporte biznesi me vendin tonë.
Në këtë radhitje eventesh nuk po përmendim fare rastet e panumërta kur në një çift, njëri prej protagonistëve është shqiptar.
Ajo që të huajt pëlqejnë më së shumti kur zgjedhin Shqipërinë, besoj, është vetë vendi ynë: gjeografia, mikpritja, sepse çmimet janë thuajse të ngjashme me botën për të gjitha shërbimet e kërkuara në një dasmë, përveç menusë, e cila ende në Shqipëri është më e lirë krahasuar me jashtë.
Konkretisht, çmimi optimal për menunë e dasmës për çdo të ftuar është 60–120 euro, ndërsa në vendet e tjera varion nga 150 deri në 300 euro për person.
Nga të dhënat që keni, nga cilat vende vijnë kryesisht çiftet që zgjedhin Shqipërinë për martesë dhe si informohen për këtë mundësi?
Nga burimet e Gjendjes Civile në Ministrinë e Brendshme, rastet e martesave zyrtare mes shtetasve me kombësi të ndryshme në Shqipëri janë të rralla.
Por realisht, eventet e dasmave mes dy të huajve në Shqipëri shkojnë në raport të zhdrejtë me të dhënat zyrtare të Ministrisë së Brendshme. Ky fenomen është një trend në rritje në vendin tonë dhe kjo është një shenjë e mirë për ekonominë shqiptare dhe imazhin e Shqipërisë.
Çiftet që zgjedhin Shqipërinë për të organizuar dasmën janë nga kombësi të ndryshme: italianë, portugezë, afrikanë (këta janë lehtësisht të evidentueshëm në rrjetet sociale), turq, egjiptianë, kanadezë, aziatikë etj.
Cilat janë vendet më të kërkuara nga të huajt për dasmat në Shqipëri – Tirana, bregdeti apo zonat malore?
Përgjithësisht, si destinacion të parë, të huajt kërkojnë bregdetin e Jugut të Shqipërisë (dhe e perceptojnë eventin e tyre si një fundjavë të gjatë argëtuese për të ftuarit e vet, ku veç dasmës bëjnë edhe pak turizëm detar).
Pavarësisht sa më sipër, destinacioni më i përzgjedhur nga të huajt që zgjedhin Shqipërinë për t’u martuar është Tirana.
Kjo zgjedhje edhe për faktin sepse Tirana dhe rrethinat e saj janë më të mirorganizuara në infrastrukturë dhe më të përshtatshme për këto lloj eventesh (ka shumë struktura cilësore hotelerie dhe gastronomie të dedikuara eventeve në përgjithësi dhe dasmave në veçanti), në ndryshim nga strukturat e Jugut, që pavarësisht investimeve të mrekullueshme dhe pamjes përrallore që ofrojnë, janë më të dedikuara në shërbimin e klientit “à la carte” dhe më të kufizuara në orarin e lejuar të muzikës (orari i argëtimit në dasmat në jug është i limituar).
Veriu i Shqipërisë, që është më autokton në investime, është më pak i kërkuar, pavarësisht faktit që kjo zonë, i shet edhe më lirë se Shqipëria e Mesme dhe e Jugut të njëjtat shërbime.
Ajo që i mungon Shqipërisë për ta zhvilluar edhe më shumë turizmin e eventeve është fakti i distancave jo të vogla nga aeroporti qendror i Rinasit.
P.sh., askush nga të ftuarit që vjen nga jashtë Shqipërisë në një dasmë në Sarandë, nuk do të ishte entuziast të mësonte që pas 2–4 apo edhe 6 orë me avion, do t’i duhej edhe 4 orë rrugë me makinë (në rastin më të mirë) për të shkuar në Sarandë.
Sa për ilustrim, në raste të ngjashme kur kemi punuar në Sarandë, të ftuarit tanë që kanë ardhur nga jashtë Shqipërisë, kanë mbërritur me avion në Korfuz e më pas kanë mbërritur nga deti në Sarandë.
Sa e organizuar është Shqipëria si destinacion për këtë lloj turizmi? Çfarë mungon ende për ta bërë më konkurruese me fqinjët si Greqia apo Italia?
Përgjithësisht, shërbimet e këtij lloji kudo në botë konsiderohen si shërbime luksi. E them me gojën plot se Shqipëria jonë e vogël ofron shërbim shembullor dhe është plotësisht gati për turizmin e eventeve (sidomos familjare).
Mendoj se Greqia dhe Italia jo vetëm janë të marketuara shumë më mirë se ne, por kanë fatin të kenë edhe më shumë destinacione për turizëm sesa ne në Shqipëri, ku edhe strukturat muzeore lënë shumë për të dëshiruar, si nga sasia ashtu edhe nga cilësia e informacionit historik dhe kulturor që ekspozohet në to.
Sa është rritur roli i konsulencës profesionale për një martesë të organizuar deri në detaje?
Mendoj SE ky lloj shërbimi në Shqipëri është në nivel të përshtatshëm me gjithë kompanitë e eventeve të nivelit të lartë nëpër botë. E mbroj me bindje këtë fakt, pasi unë dhe kompania ime kemi punuar shumë herë si organizator eventesh të niveleve të larta në disa shtete.
Jam në gjendje ta bëj lehtësisht krahasimin që nuk bën shumë diferencë, përveçse në rastet e lokacioneve shumë të famshme dhe të marketuara ndër vite dhe të mbështetura nga politikat favorizuese të shteteve përkatëse (kam parasysh këtu Italinë, Greqinë, Turqinë, Malin e Zi, Meksikën, Kanadanë).
Çfarë kërkojnë më shumë çiftet sot te “Geraldina Sposa”: elegancë, thjeshtësi, luks, trendet ndërkombëtare?
Të gjitha këto së bashku… mbi të gjitha sigurinë për një event sa më afër përsosmërisë.
Na gëzon shumë dhe e shohim si patriotik faktin që, pavarësisht se të rinjtë tanë të sistemuar në standarde shumë të mira kudo nëpër botë, përgjithësisht zgjedhin gjithmonë Shqipërinë për ta bërë dasmën, sepse martesa nuk është thjesht një festë, është një institucion që merr rëndësinë e duhur mes njerëzve të dashur.
Si ndikon fakti që dasmat po bëhen gjithmonë e më shumë edhe një “show” në rrjete sociale në kërkesat që ju merrni?
Në fakt, ato që tregojnë më shumë për kulturën e një kombi janë dasmat dhe funeralet… Për ne shqiptarët (shumicën e shqiptarëve) dasma akoma konsiderohet si eventi më i rëndësishëm i jetës…
Për më shumë, në librat e rëndësishëm të menaxhimit të eventeve shkruhet: “Çdo event pasqyron statusin kulturor, ekonomik dhe social të thirrësit të eventit”.
Po t’i shtojmë kësaj mendësinë shqiptare për dasmën, që është eventi i jetës… rezultati është ajo që ju e shihni të pasqyruar në rrjetet sociale dhe që për shumë njerëz perceptohet si show.
Konkluzioni im: është thjesht çështje këndvështrimi… secili sipas dëshirës dhe mundësive…
Si e shihni tregun e dasmave pas 10 vitesh, në raport me brezat e rinj dhe me zhvillimin e vendit?
Jetojmë në Shqipëri, asgjë nuk mund të parashikohet… Ju kujtoj vetëm që shumica e vajzave në mbarë botën rriten me përrallat me princesha, që kanë thuajse gjithmonë një fund të lumtur duke u martuar me princin e tyre të kaltër…
Sot, gjërat mund të ndryshojnë pak… mundet që të mos jetë i kaltër, mundet të mos jetë as princ… por do të jetë për gjithmonë dëshira për Martesë.
