Gjatë një sfide të dhënë nga Vëllai i Madh, banori Rogert Stërkaj e theu për disa momente “personazhin e fortë” të krijuar prej tij që me hyrjen në BBVIP për të treguar se prej 5 vitesh nuk fliste me vëllain e tij Xhulion.
Ai rrëfeu se krisja e marrëdhënies mes tyre kishte ardhur për shkak të bullizimeve që Rogerti i kishte bërë dhe për shkak të parave e pronave. Megjithatë pavarësisht se që prej 2021-it nuk i kishte folur, Rogerti tha se e kishte takuar në dhjetor të vitit të kaluar për shkak të sëmundjes së babait, por nuk kishte folur me të shumë.
“Ka që në 2021-shin që unë nuk kam hyrje-dalje me vëllanë edhe ka qenë një moment shumë i dobët për mua. Unë nuk e kam kuptuar deri në momentin që kam hyrë këtu, që më mungon jashtë mase. Në fakt ishte një sëmundje e babait tim. Ai kishte një gjëndër në veshkë dhe bëri një operacion dhe aty mendova se ishte momenti që të thyeja akullin me vëllanë tim. Ka që në 2021 që jam prishur me të, punë parash dhe punë tokash që më erdhi inat boll dhe më pas dolën gjëra të tjera. Bullizimi që unë i kam bërë kur kemi qenë të vegjël. Dolën të gjitha arsyet që unë thashë: ‘Këtij nuk do i flas më’.
Që me sëmundjen e babit, as nuk doja të dija gjë për të, as që është gjallë ose vdekur. Paskan qenë disa gjëra në jetë që të afrojnë më shumë. Kur babi u sëmurë, më tha që të flas me vëllanë. Ishte këtë dhjetor që u mblodhëm për herë të parë në 4 vite e gjysmë. Unë i dhashë dorën, nuk i fola shumë. Pashë mbesën time, që në fakt nuk e kisha parë qëkur ka lindur”- tha banori duke pasqyruar një realitet të trishtë që ekziston sot mes shumë familjeve për shkak të konflikteve për pronat. Rogerti gjithashtu shprehu dëshirën që ta takonte vëllain e tij gjatë këtij edicioni. Versus.al

