MAGAZINË /

Vajza e Hulk Hogan kërkoi të hiqej nga testamenti i babait të saj, zbulohen arsyet pas vdekjes së tij

Pasuria e tij vlerësohet në 25 milionë dollarë - Brooke Hogan kërkoi të përjashtohej, duke zbuluar arsyet në një postim.

Shkruar nga Versus
Vajza e Hulk Hogan kërkoi të hiqej nga testamenti i babait të
Hulk Hogan/Brooke Hogan

Vajza e legjendës së WWE, Hulk Hogan, Brooke Hogan, ka mbetur jashtë testamentit të të atit, pas një vendimi që ajo vetë ka marrë dy vite para ndarjes së tij nga jeta.

Brooke ka zbuluar pas vdekjes së Hogan se vendimi për t’u larguar prej tij ishte emocionalisht i vështirë, por i nevojshëm për të mbrojtur shëndetin e saj mendor.

Sipas deklaratave të saj, nuk ka pasur një konflikt të drejtpërdrejtë mes tyre, por një distancim i qëllimshëm për arsye personale. Brooke theksoi se në dy vitet e fundit të jetës së të atit, kishte zgjedhur të mos ishte më pjesë e përditshmërisë së tij dhe madje kishte kërkuar që emri i saj të hiqej nga testamenti.

Hulk Hogan ndërroi jetë në moshën 71-vjeçare, të enjten, më 24 korrik, si pasojë e një arresti kardiak. Pesë ditë më vonë, më 29 korrik, vajza e tij Brooke bëri një postim në Instagram, ku sqaroi publikisht arsyet e distancimit të saj.

“Më hapi zemrën, më besoi, dëgjoi thirrjet e mia — dhe papritur diçka ndryshoi. Ai vendosi të ndjekë një rrugë që, qartësisht, e mundonte. Ndjeva se po largoheshim. Kishim mospajtime që kishin një kosto emocionale për mua”, shkroi ajo.

Më tej shtoi:

“Dy vitet e fundit duhej të tërhiqesha për të mbrojtur zemrën time. Bashkëshorti im qëndroi i hapur, duke u përpjekur në mënyrë të kujdesshme të lidhej me babanë tim pa dijeninë time, për të gjetur një mënyrë të sigurt për të më rikthyer në jetën e tij. Pas vdekjes së tij, lexova ato mesazhe — disa u përgjigjën, të tjera u injoruan, por të gjitha më copëtuan zemrën.”

Sipas TMZ, 37-vjeçarja kishte frikë se pas vdekjes së të atit do të përfshihej në një betejë të ashpër ligjore për pasurinë, dhe për këtë arsye nuk i besonte askujt nga rrethi i ngushtë i babait të saj. Kjo e çoi që në vitin 2023 të kërkonte të hiqej nga lista e përfituesve të pasurisë së tij – po atë vit kishte pasur edhe kontaktin e fundit me të.

Brooke gjithmonë kishte prioritet të mbronte të atin nga njerëz që, sipas saj, e shfrytëzonin për famën dhe pasurinë e tij. Mësohet se ajo kishte tentuar disa herë të diskutonte këtë çështje me Hulk Hogan, por pas viteve të përpjekjeve të pasuksesshme dhe mosmarrëveshjeve mes tyre, ajo u lidh me një person që e këshillonte Hogan për çështje financiare dhe mori vendimin të përjashtohej nga testamenti.

Edhe pse e lëndoi fakti që i ati nuk i besoi që kishte qëllime të mira për të, Brooke thekson se kurrë nuk u motivua nga pasuria e tij. Pasuria e Hulk Hogan vlerësohet në rreth 25 milionë dollarë, sipas disa raportimeve. Ende mbetet e paqartë se kush do të trashëgojë pasuritë e paluajtshme, markat tregtare, të drejtat e autorit dhe asetet e tjera.

Megjithëse martesën e tij të tretë me Sky Daily e pati për një kohë të shkurtër, ajo pritet të trashëgojë afro një të tretën e pasurisë. Kjo mund të sjellë përplasje me ish-bashkëshortet e tij. Sipas ligjit të Floridës, bashkëshortja ka të drejtë të përfitojë 30% të pasurisë së bashkëshortit të ndjerë, edhe nëse testamentet apo trustet nuk janë përditësuar përpara vdekjes – e cila ndodhi më 24 korrik.

Brooke pritet të marrë një shumë të vogël parash nga një fond besimi që buron nga një sigurim jete që kishte përfituar Hulk Hogan. Sipas TMZ, ajo është mirënjohëse për këtë shumë dhe thuhet se ka ndërmend ta përdorë për shkollimin e fëmijëve të saj.

Vajza e legjendës së WWE dhe bashkëshorti i saj u bënë prindër të binjakëve – një vajzë dhe një djalë – në janar. Megjithatë, Hulk Hogan nuk i njohu kurrë nipërit e tij para se të ndërronte jetë, pavarësisht përpjekjeve të bashkëshortit të Brooke për t’i afruar sërish babë e bijë.

Hulk Hogan kishte dy fëmijë – Brooke dhe Nick – me ish-bashkëshorten e tij Linda, me të cilën ishte i martuar nga viti 1983 deri në 2009. Më pas, u martua me Jennifer McDaniel në vitin 2010, derisa u ndanë në vitin 2021. Dy vite më vonë, u martua me Sky Daily, me të cilën qëndroi i martuar deri në vdekjen e tij. Kontakti i fundit mes Brooke dhe të atit daton në shtator të vitit 2023, pak javë përpara se Hogan të martohej për herë të tretë./Versus.al

Poll