Benzhame Pavard, futbollisti i Interit dhe përfaqësueses së Francës, është kurorëzuar në martesë gjatë fundjavës së kaluar me bukuroshen shqiptare, Kleofina Pnishi.
Çifti ishte bashkë prej kohësh dhe pas propozimit për martesë që lojtari i bëri modeles shqiptare pikërisht gjatë pushimeve në bregdetin e Jugut të vendit tonë në verën e kaluar, ka ardhur edhe dasma përrallore në Amalfi të Italisë.
Një dasmë e shijuar për dy ditë me radhë në lokalitetin italian, me ceremoninë mes miqsh, e padyshim edhe banketin, ku nuk mungoi muzika e vallet shqiptare, plisat e festimet tradicionale.
Videot u publikuan në rrjetet sociale nga Kleofina e cila ka ndarë me ndjekësit e shumtë momentet e festës së ditës së paharrueshme për të.







