
Shqipëria është zyrtarisht finaliste e kompeticionit më të madh europian të këngës ‘Eurovision Song Contest 2025’ që këtë vit mbahet në Bazel të Zvicrës.
Grupi “Shkodra Elektronike” me këngën "Zjerm" arriti të sigurojë një vend të merituar në finale e madhe falë performancës energjike dhe të veçantë që mori shumë vlerësime positive nga të gjithë shtetet, madje u kthye në këngën e parapëlqyer të shumë qytetarëve të shteteve të ndryshme.
Me një skenografi elektrizuese dhe një kombinim autentik të muzikës tradicionale shqiptare me elemente moderne elektronike, Shkodra Elektronike rrëmbyen vëmendjen e publikut evropian dhe votat e mjaftueshme për të kaluar më tej.
Kjo shënon një sukses të madh për Shqipërinë në skenën ndërkombëtare të muzikës, duke konfirmuar edhe një herë se muzika shqipe ka potencial të konkurojë denjësisht në skena të mëdha si Eurovision dhe se shqiptarët kanë talente të cilat duhen kultivuar më tej.
Finalja e madhe do të zhvillohet të shtunën, më 17 maj, dhe Shqipëria do të jetë mes 26 shteteve që do të garojnë për trofeun e këtij viti. Versus.al







