
Një burrë 38-vjeçar në Moskë u shtrua urgjentisht në spital dhe iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale pasi pësoi këputje të stomakut, si pasojë e konsumimit të një kokteji që përmbante azot të lëngshëm.
Ngjarja ndodhi gjatë një feste korporative në studion e kuzhinës “Igra Stolov” dhe u raportua fillimisht nga kanali i njohur BAZA në Telegram. Për eventin ishte angazhuar një miksolog, i cili synonte të impresiononte të ftuarit duke përdorur azot të lëngshëm për të ngrirë pijet dhe për të krijuar një efekt vizual mbresëlënës, me mjegull të dendur që ngrihej nga gotat.
Megjithëse azoti i lëngshëm përdoret herë pas here në gastronominë molekulare, ekspertët theksojnë se pijet nuk duhet të konsumohen kurrë përpara se azoti të ketë avulluar plotësisht. Sipas raportimeve, në këtë rast publiku nuk u informua për rrezikun serioz.
Në një video që qarkulloi gjerësisht në rrjetet sociale, 38-vjeçari shihet duke marrë pijen në një gotë letre dhe duke e pirë pothuajse menjëherë. Vetëm pak sekonda më vonë, ai fillon të nxjerrë avuj azoti dhe rrëzohet përtokë nga dhimbja, ndërsa të pranishmit përpiqen ta ndihmojnë.
Autoritetet po shqyrtojnë rrethanat e incidentit, ndërsa rasti ka hapur debat mbi sigurinë dhe përgjegjësinë në përdorimin e substancave të rrezikshme në evente argëtuese.

