
Futbollisti i Galatasarayt, Lucas Torreira, përjetoi një incident të pakëndshëm në Stamboll, pasi u sulmua fizikisht të martën në mbrëmje nga një 32-vjeçar, i cili më vonë pranoi se ishte i fiksuar pas të dashurës së Torreiras.
Sipas mediave turke, incidenti ndodhi rreth orës 18:45 në një qendër tregtare në lagjen Beyoglu. Mesfushori uruguaian ishte në fushën e padelit kur Yusuf Y. iu afrua dhe e goditi me grusht në fytyrë.
Pas sulmit, i dyshuari u përpoq të arratisej me një taksi, por policia e gjeti shpejt dhe e arrestoi në dalje të qendrës. Gjatë hetimit, u përcaktua se Yusuf Y. ishte ndëshkuar edhe më parë për sjellje të dhunshme dhe shkaktim të lëndimeve trupore.
Në seancën dëgjimore, Yusuf Y. pranoi se motivi i sulmit ishte obsesioni i tij me fotografen Ipek B., e cila dyshohet se ishte në një lidhje me Torreiran.
“Një vit më parë pashë fotot e tyre së bashku në Instagram dhe atëherë fillova të ndiej urrejtje ndaj tij”, tha i dyshuari i cili mbahet në paraburgim. Versus.al

