MAGAZINË /

Zbulim i jashtëzakonshëm arkeologjik në Kosovë, del në dritë artefakti i rrallë i perandorit romak me origjinë shqiptare (FOTO)

Ky zbulim i ri vjen si vazhdim i atij të mëparshëm, ku për herë të parë u përmend themelimi i qytetit Iustiniana Secunda si një qytet dardan.

Shkruar nga Versus

Zbulim i jashtëzakonshëm arkeologjik në Kosovë, del në

Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka ndarë një lajm të rëndësishëm për trashëgiminë tonë arkeologjike: në lokalitetin e Ulpianës është zbuluar një mbishkrim i dytë kushtuar perandorit Justinian dhe bashkëshortes së tij, Teodora.

Ky zbulim i ri vjen si vazhdim i atij të mëparshëm, ku për herë të parë u përmend themelimi i qytetit Iustiniana Secunda si një qytet dardan. Ndërkohë, mbishkrimi i sapogjetur sjell një tjetër copëz të historisë sonë në sipërfaqe — ai flet për ndërtimin e një bazilike episkopale, një nga dedikimet e rralla të njohura të Justinianit në vendlindjen e tij.

“Ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë arkeologjike nuk ka qenë kurrë më serioze se tani,” ka shkruar ministri Çeku, duke theksuar se punimet në Ulpianë dhe Dresnik po zhvillohen në prona publike të cilat janë shpronësuar vitin e kaluar për qëllime kërkimore.
Ai thekson se aktualisht po punohet me ritme të larta në disa prej lokaliteteve më të rëndësishme arkeologjike, jo vetëm në gërmime, por edhe në planet për konservim, menaxhim dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale, në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë.

“Arkeologjia vazhdon të na zbulojë rrënjët tona. Ne vazhdojmë me përkushtim të hulumtojmë, të mbrojmë dhe të kuptojmë më mirë historinë tonë,” përfundon Çeku në mesazhin e tij.
Zbulimi i ri jo vetëm që pasuron mozaikun e historisë së lashtë dardane, por sjell edhe më shumë vëmendje ndaj vlerës së jashtëzakonshme që mbartin këto toka. Ulpiana po konfirmohet si një arkivë e gjallë e së kaluarës.

 

Poll