OPINION /

Debati për disa perde dielli, si një tallje ndaj detyrës për raportim të vërtetë dhe peshës së Ministrisë së Mbrojtjes

Në rastin e Ministrisë së Mbrojtjes, sfida nuk janë disa perde dielli, por mënyra se si menaxhohet një sektor strategjik, me një buxhet që po rritet nga viti në vit dhe me përgjegjësi që shkojnë përtej mureve të një zyre.

Shkruar nga Versus
Debati për disa perde dielli, si një tallje ndaj detyrës për
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi

Një tender i Ministrisë së Mbrojtjes për 11 perde dielli është bërë shkak për ekzagjerime e teori konspirative në rrjetet sociale. Në kushtet kur situate në vend duket e tensionuar për shkak të protestave që zgjasin prej 52 ditësh, çdo veprim i institucioneve merret në “sitë” dhe paraqitet si çështje për të cilën duhet revoltë.

E njëjtë është edhe historia e tenderave për perdet e diellit në ministrinë e Mbrojtjes, institucion që nuk ka në fokus administrimin e zyrave, por drejtimin e programeve të modernizimit të Forcave të Armatosura, rritjen e investimeve strategjike dhe përmbushjen e angazhimeve të vendit si anëtar i NATO-s.

Megjithatë, aludimet në rrjetet sociale fokusohen vetëm në një procedurë të vetme prokurimi duke e paraqitur si ndonjë abuzim galopant me fondet e shtetit, ndërkohë që bëhet fjalë për një arredim krejt të zakonshëm të zyrave sepse ministria nuk mund të qëndrojë pa perde. Për më tepër, perdet nuk ishin as në zyrën e ministrit Ermal Nufi, por në disa zyra të administratës. Ndërsa jemi mësuar rëndom që të shohim minsitra që gjeja e parë që bejne kur vijnë në detyrë arredojnë në shifra marramendëse zyrën e tyre, apo që i kanë përdorur dhe për afera rozë.

Shqetësues është fakti se këto “investigime” nga portale të caktuara, deligjitimojnë çdo shkrim serioz. Absolutisht çdo tender duhet të verifikohet nga institucionet përgjegjëse. Por nuk duhet të harrojmë se kur “qimja bëhet tra” për çdo lloj veprimi normal, efekti mund të vijë në kundër sens duke na bërë qesharakë dhe krejtësisht të pavlerë në rolin e “gardianit” publik.

Në një kohë kur siguria po bëhet gjithmonë e më shumë çështje diskutimi, ministria e Mbrojtjes ka si synim rritjen e investimeve në këtë aspekt dhe përgatitjen për fazën e re në përputhje me aleatët e Aleancës së Atlantikut të Veriut. 

Ndërsa vitin e ardhshëm pritet të mbahet samiti i NATO-s në Tiranë, ministri i këtij dikasteri, Ermal Nufi ka theksuar prioritetin për shtimin e rekrutëve dhe modernizimin e Forcave të Armatosura. 

Në rastin e Ministrisë së Mbrojtjes, sfida nuk janë disa perde dielli, por mënyra se si menaxhohet një sektor strategjik, me një buxhet që po rritet nga viti në vit dhe me përgjegjësi që shkojnë përtej mureve të një zyre. Versus.al

Poll