Bitila Shira—Gazetare
Në vitin 2025, në Shqipëri, gratë vazhdojnë të përballen me barriera të forta për të qenë pjesë aktive e politikës dhe vendimmarrjes në nivelet më të larta.
Megjithëse ka pasur përparime të dukshme në përfshirjen e tyre në institucione publike, stereotipet gjinore që lidhen me rolin e grave në politikë vazhdojnë të jenë pengesë kryesore.
Stereotipet që pengojnë gratë në politikë
Shprehje të tilla si "politika nuk është për gra", "gratë janë shumë emocionale për vendime të rëndësishme" apo "nuk kanë autoritet për të udhëhequr" janë akoma pjesë e mentalitetit publik dhe shpesh përcillen edhe nga aktorë të rëndësishëm politikë apo media. Këto stereotipe ndikojnë në mënyra të ndryshme:
Mungesa e besimit dhe vlerësimit: Gratë politikane shpesh duhet të përballen me paragjykime që u mohojnë aftësitë dhe kompetencat.
Për shembull, vendimmarrjet e tyre shpesh interpretohen si dobësi ose mungesë eksperiencë, ndërkohë që vendimet e burrave rrallë vihen nën të njëjtin lloj kritikash.
Presion i shtuar për të dëshmuar veten: Ndryshe nga burrat, gratë duhet të punojnë shumë më tepër për të fituar respektin dhe besimin e kolegëve dhe qytetarëve. Ky presion i dyfishtë, që përfshin edhe rolin e tyre familjar, i bën shumë gra të hezitojnë të përfshihen në politikë.
Ngarkesa emocionale dhe stereotipet gjinore: Një tjetër stereotip i përhapur është se gratë janë shumë emocionale për t’u marrë me çështje të forta si siguria, ekonomia apo politika e jashtme. Kjo u heq atyre mundësinë për të marrë rolet kryesore vendimmarrëse në këto fusha, duke u kufizuar në tematika më “të buta” ose sociale.
Sfidat në rrugën drejt barazisë në politikë
Për shkak të këtyre stereotipeve, gratë përballen me vështirësi të veçanta në aksesimin e posteve drejtuese në parti politike dhe institucione. Në Shqipëri, përqindja e grave në parlament ka shënuar një rritje në vite, por ato janë akoma në minorancë në pozitat ekzekutive, si ministra apo drejtues komisionesh të rëndësishëm.
Sipas raporteve ndërkombëtare dhe të organizatave për barazi gjinore, një nga arsyet kryesore që mban gratë larg vendimmarrjes politike është mungesa e mbështetjes institucionale dhe sociale, si dhe mungesa e modeleve pozitive që sfidojnë stereotipet.
Pse është kaq e rëndësishme të ndryshojnë këto stereotipe?
Barazia gjinore në politikë nuk është vetëm çështje drejtësie sociale, por ka edhe ndikime konkrete në zhvillimin ekonomik dhe social. Studimet tregojnë se ekonomitë mund të rrisin Prodhimin e Brendshëm Bruto (GDP) deri në 20% nëse pjesëmarrja e grave në politikë dhe vendimmarrje arrihet në nivele të barabarta me burrat.
Gratë në pozita të vendimarrjes sjellin perspektiva të ndryshme dhe përqasje më gjithëpërfshirëse në formulimin e politikave, duke kontribuar në krijimin e ligjeve dhe programeve që adresojnë nevoja më të gjera shoqërore. Për më tepër, prania e tyre forcon legjitimitetin e institucioneve dhe besimin e qytetarëve në proceset demokratike.
Çfarë duhet të bëjmë?
Për të sfiduar stereotipet gjinore dhe për të rritur përfaqësimin e grave në politikë, nevojiten:
Politika dhe masa afirmative që sigurojnë barazinë në kandidime dhe në ndarjen e posteve brenda partive.
Edukim dhe fushata sensibilizuese për të luftuar stereotipet dhe paragjykimet gjinore në shoqëri.
Mbështetje dhe mentorim për gratë e reja që duan të angazhohen në politikë, duke u krijuar rrugë të qarta për karrierë.
Koha për ndryshim është tani!
Politika është punë për gra – dhe për të gjitha ato gra që janë të gatshme të sfidojnë stereotipet, të ndërtojnë të ardhmen dhe të marrin vendime për të gjithë shoqërinë.