
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dërguar një fletëthirrje për kryedemokratin Sali Berisha lidhur me dosjen e 21 janarit, protestës së mbajtur në 2011-ën para kryeministrisë ku u vranë 4 protestues.
Sipas fletëthirrjes që i është dërguar edhe Kuvendit dhe Partisë Demokratike, Berisha duhet të paraqitet të premten në orën 10:00 për t’u pyetur mbi 21 janarin, ngjarje të cilën ka kërkuar hetime nga SPAK edhe Gjykata e Strasburgut duke e cilësuar si "krim shtetëror".
Kjo fletëthirrje i është dërguar kreut të PD, pak ditë pasi në institucionin e posaçëm u mor në pyetje për 21 janarin, ish-kreu i PD, Lulzim Basha i cili në kohën kur ndodhi ngjarja ishte ministër i Brendshëm. Në dalje nga SPAK, Basha nuk dha detaje për mediat duke thënë se çështja është në hetim.
Ndërsa Berisha i cili është prononcuar edhe më parë lidhur me këtë temë, tha se nuk kishte patur asnjë urdhër të dhënë prej tij drejt gardës për të hapur zjarr ndaj protestuesve. Versus.al

