POLITIKË /

Arrestimi i avokatit Barjami, Prokurori i Përgjithshëm: Nuk duhet të ndodhte

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, u shpreh se ky ishte një rast për reflektim dhe se për çështjen po pritej përfundimi i inspektimit nga ILD-ja.

Shkruar nga Versus
Arrestimi i avokatit Barjami, Prokurori i Përgjithshëm: Nuk duhet
Olsian Çela

Një nga pyetjet e deputetëve të opozitës në Parlament lidhej me incidentin e ndodhur ditë më parë në Gjykatën e Elbasanit, ku prokurori i një prej dosjeve kërkoi arrestimin e avokatit Ulian Barjami për kanosje dhe kërcënim gjatë seancës.

Avokati u lirua nga paraburgimi gjatë masës së sigurisë, por ngjarja shkaktoi shumë jehonë dhe reagime të forta politike.

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, u shpreh se ky ishte një rast për reflektim dhe se për çështjen po pritej përfundimi i inspektimit nga ILD-ja.

Ai theksoi gjithashtu se u ka kërkuar prokurorëve që të jenë të kujdesshëm dhe të matur në përdorimin e masave shtrënguese të arrestit me burg. Sipas tij, masa e izolimit duhet të jetë opsioni i fundit, duke u bazuar në natyrën dhe rrethanat e veprave penale.

“Rasti ne fjalë mund të jetë reflektim. I kemi kërkuar prokurorëve që masa e arrestit të jetë masa e fundit që kërkohet dhe vlerësimi duhet të jetë shumë i kujdesshëm. Veprat penal i nënshtrohen një kallëzimi, por ne jemi përpjekur që të kemi një ulje të masave ekstreme. Rasti në fjalë nuk duhet të ndodhte. Por masa e arrestit në burg është ekstreme dhe e pajustifikueshme”, tha Çela.

Pyetjes nëse ka ngjarje të tjera të ngjashme ai tha se nuk kishte, por vuri theksin te masat e buta të sigurisë dhe për arrestimin e avokatit dhe incidentin me prokurorin po priste rezultatet e ILD.

“Nuk ka rast tjetër të ngjashëm, në dijeninë time nuk ka pasur. Por kam dijeni se ka një hetim edhe nga ILD për këtë rast, ku do dalin konkluzionet përkatëse”, përfundoi kryeprokurori./Versus.al

Poll