Ilir Alimehmeti ka lënë të hapur mundësinë që ai të jetë kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Qëndrimi i tij u bë i qartë gjatë një deklarate në Top News, disa ditë pasi Berisha mënjanoi kandidaturën e Florjan Binajt për bashkinë më të madhe të vendit.
Alimehmeti i cili në zgjedhjet e 11 majit tregoi se gëzon mbështetje të madhe nga elektorali demokrat, nuk e fshehu ambicien për të marrë pjesë si kandidat për Tiranën.
“Për Tiranën duhet një vendim shumë politik dhe nuk do të jetë e thjeshtë. Unë objektivin tim e kam pasur gjithmonë, nuk lëviz, vazhdon po i njëjti,” u shpreh ai.
Ndërkohë mbetet ende e paqartë nëse kandidatura e tij do të mbështetet nga kryedemokrati Sali Berisha. E njëjta klimë paqartësie paraqitet tek socialistët ku pavarësisht kandidaturës së Ogerta Manastirliut, edhe Erion Braçe ka shprehur ambicien për të drejtuar kryeqytetin duke nënvizuar se është i gatshëm të kandidojë edhe si i pavarur. Versus.al


