
Pas rreth 3 orësh, kryedemokrati Sali Berisha foli jashtë selisë blu për protestën e mbajtur mbrëmjen e sotme ku kërkohej dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Duke falenderuar protestuesit, Berisha e konsideroi protestën si më të suksesshmen, ndërsa paralajmëroi se beteja do të vijonte pavarësisht se nuk dha datë fikse. Ai theksoi se vendi nuk do të gjente paqe derisa të arrihej largimi i Ramës.
''Sot ishte një betejë e shkëlyqer. Ju garantoj se tjetra do jetë edhe më e shkëlqyer dhe se Rama nuk do ketë më strofë miu ku të futet. Keni qenë të shkëlqyer, nuk e di domethënë si e nderuat ju kaq shumë sot 22 marsin. E tmerruat Edvin Kristaq Ramën. Prandaj le të zotohemi në këtë shesh se nuk ka paq në këtë vend me ata të cilët kanë vjedhur dhe vjedhin si hiena pasuritë publike të shqiptarëve, përdorin mandatet për të mbrojtur vjedhjet e tyre. Ndëshkimi ynë do të bjerë mbi ta dhe ata do përfundojnë në lanë dhe në koshat e plehrave të historisë.
E patë vetë si e kishte rrethuar me policë në 4 anët, po a ka policë që na ndalojnë ne? Kurrë! Edi Rama jep dorëheqjen sa më shpejt se do të tërheqim ashtu siç nuk ta pret mendja''- u shpreh Berisha.
Sa i takon momentit kur u ndje keq në protestë, Berisha tha se ai incident vetëm sa nxiti protestuesit për vendosmëri.
''Ajo që bëri Edi Rama është akt i shëmtuar, por vetëm sa nxiti protestuesit për ta hedhur në Lanë atë dhe regjimin e tij'- shtoi kryedemokrati. Versus.al


