POLITIKË /

Deklaratë ‘bombë’ nga Bardhi: Ministrat shfaqen në ‘Sky Ecc’ duke ndihmuar eksponentë të krimit! Ja kur i publikoj përgjimet

Bardhi tha se po i mban të dhënat pa i publikuar në kuadër të sekretit hetimor, por tha se do i publikonte nëse SPAK nuk jepte asnjë informacion mbi to.

Shkruar nga Versus
Deklaratë ‘bombë’ nga Bardhi: Ministrat shfaqen në
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi

Kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi ka folur për përgjimet e zbardhura në “Sky Ecc” për të cilat ai pretendon se ka informacione se bëhet fjalë për komunikime të anëtarëve të mazhorancës me eksponentë të krimit të organizuar, për t’i ndihmuar këta të fundit në çështjet me drejtësinë.

Duke mos përmendur emra, Bardhi tha në emisionin “Opinion” se të dhënat që disponon nuk janë publikuar deri më tani sepse mbrohen nga sekreti hetimor i SPAK.

“Del e provuar se si eksponentë të rëndësishëm të mazhorancës jo vetëm bashkëpunojnë, të nivelit shumë të lartë, anëtarë qeverie mes tyre patjetër, se si ndihmojnë eksponentë tashmë publikë dhe të provuar nga SPAK të krimit të organizuar në çështjet që ata kanë me drejtësinë. Ndërhyjnë në prokurorë, në punonjës të policisë”- tha kreu i grupit parlamentar demokrat.

Më tej, Bardhi shtoi se nëse Prokuroria e Posaçme nuk vepron, atëherë do të jetë i detyruar të publikojë të dhënat për shkak të interesit të lartë publik që kanë.

“Të jeni të sigurt që të dhënat do të bëhen publike sepse prevalon interesi publik. Nëse ka në këtë vend prokurorë që duan të fshehin lidhjet mes krimit dhe qeverisjes, faktin që eksponentë të rëndësishëm me pushtet në Shqipëri ndihmojnë apo ndërhyjnë për të ndihmuar eksponentë të rrezikshëm të krimit të organizuar që atyre të mos i cënohet fjala vend pasuria kjo përbën çështje me interes publik dhe unë jam në politikë për të mbrojtur interesin publik. Po i jap kohën e nevojshme prokurorisë për të bërë detyrën e vet. Dua që institucionet të funksionojnë sipas rregullave të këtij vendi. Nëse dështojnë të përmbushin misionin e tyre unë do të përmbush misionin si përfaqësues i qytetarëve”, shtoi Bardhi.

Në përfundim ai tha se nëse SPAK vonohet më shumë se një vit për të publikuar të dhënat që ka, do të lërë të kuptohet se Prokuroria e Posaçme po tenton të fshehë të dhënat.

Së fundmi Partia Demokratike, ka përshkallëzuar aksionin opozitar të nisur pas dënimit dhe arrestimit të ish-deputetit Ervin Salianji për dosjen Babale. Kaosi nisi në seancën plenare të së hënës, pasi kryeparlamentarja Elisa Spiropali shpalli vakancën për vendin e Salianjit në Kuvend, duke lexuar shkresën e prokurorisë ku urdhërohej arrestimi i tij në ekzekutim të dënimit 1 vjeçar për “kallëzim të rremë”. Aksioni vijoi me bojkotin të secilit komision parlamentar, ndërsa ditën e djeshme, 24 deputetë të përjashtuar të PD-së u përplasën me gardën dhe kolegët e tyre socialistë, duke kulmuar me djegien e manekinëve në fytyrat e të cilëve ishin foto të kryeministrit Edi Rama e vëllait të tij Olsi Rama si dhe të deputetit Fatmir Xhafaj dhe vëllait të tij Geron Xhafaj. Në deklaratën për mediat, Bardhi u shpreh se aksioni opozitar do të vijojë si ta mendojë Partia Demokratike në vijim, në prag të protestës kombëtare të thirrur më 7 tetor, ora 18:00 para kryeministrisë.Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: