
Është tensionuar situata në protestën e opozitës në Tiranë menjëherë pas përfundimit të fjalës së ish-kryeministrit Sali Berisha, ku janë raportuar incidente dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Sipas raportimeve, pas përfundimit të tubimit, disa protestues kanë hedhur mjete ndezëse në drejtim të zonës pranë Kryeministrisë, ndërsa policia është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës dhe spraj, duke përshkallëzuar situatën në bulevard.
Si pasojë e përplasjes, janë prekur edhe qytetarë, gazetarë dhe përfaqësues të opozitës në terren. Deputeti Luçiano Boçi ka deklaruar se është ndjerë keq gjatë situatës dhe më pas është dërguar me urgjencë në spital për ndihmë mjekësore.
Boçi ka akuzuar policinë për përdorim të tepruar force dhe ka pretenduar se veprimet e saj kanë qenë të drejtuara edhe ndaj deputetëve dhe mediave, ndërsa situata në terren është shoqëruar edhe me tensione dhe përplasje verbale mes palëve.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende një reagim të detajuar lidhur me incidentin, ndërsa protesta është shpërndarë gradualisht pas ndërhyrjes së policisë./Versus.al


