Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, ka komentuar protestën e zhvilluar në Tiranë dhe diskutimet e zhvilluara në mbledhjen e fundit të Grupit Parlamentar të PS-së, duke theksuar se mazhoranca respekton të drejtën e protestës, por nuk e konsideron dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama apo zgjedhjet e parakohshme si alternativa politike.
E ftuar në emisionin “Review” në Euronews Albania, Mila tha se protesta ishte një nga temat e trajtuara në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar, ku sipas saj u zhvillua një debat i hapur mes deputetëve.
“Ne në fakt ditën e sotme vijmë nga një ditë ku kemi pasur një mbledhje të zgjeruar në fakt, të përmuajshme, siç është bërë tashmë traditë. Çdo muaj ne bëjmë një mbledhje më të zgjeruar sesa ato që zakonisht i bëjmë çdo fillim jave me drejtuesin e grupit tonë, me zotin Taulant Balla. Patjetër që nuk mund të ishte jashtë vëmendjes ditës së sotme edhe protesta. Ndamë gjithçka me njëri-tjetrin, mendime, ide. Ishte një diskutim shumë i hapur ku gjithsecili pati momentin e vet për të thënë të tijën.
Megjithatë, nëse ka diçka për të cilën i gjithë grupi parlamentar është në unison, është fakti se padiskutim respektojmë protestën dhe çmojmë shumë lirinë e fjalës dhe veprimit në të. Por në asnjë moment në fakt nuk e shohim këtë protestë siç shumë herë edhe është diskutuar në media apo është folur në studio të ndryshme televizive, ku mund të jetë dorëheqja një opsion apo ku mund të jenë zgjedhjet e parakohshme një opsion tjetër.
Ne jemi në mes të një procesi të cilit ia kemi premtuar shqiptarëve të paktën një vit e pak më parë kur morëm edhe 83 mandate. Jemi në mes të një procesi negociatash me Bashkimin Europian. Gjithçka po shkon mirë dhe mbarë në atë aspekt.
Ju vetë e keni parë progresin e Shqipërisë, jo vetëm në fjalë në fakt që mund të themi ne si përfaqësues të Partisë Socialiste të mazhorancës, por faktike ato që vetë Bashkimi Europian thotë. Jemi në gjysmë të rrugës për të mbyllur disa prej kapitujve më të rëndësishëm dhe po vrapojmë drejt targetit që të mund t’i mbyllim ato të gjitha në vitin 2027. Prandaj nuk shohim realisht arsye për të ndalur këtë hap, për të ndalur këtë sfidë që kemi me veten, me historinë e për të cilën në fakt shqiptarët na besuan”, u shpreh Mila.
Deputetja socialiste shtoi se qeveria mbetet e fokusuar te procesi i integrimit europian dhe nuk sheh arsye për të ndërprerë mandatin e marrë nga qytetarët në zgjedhjet e fundit./Versus.al


