
Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit nuk e humbi rastin për të ironizuar edhe deklaratat e vazhdueshme nga analistë të ndryshëm dhe akuzat e opozitës ndaj tij duke pretenduar se do ketë të njëjtin fat si Nicolas Maduro.
“Si duket humbësit kronikë nuk duan ta humbasin edhe këtë rast për të bërë të vetmen gjë që dinë të bëjnë më së miri në botë, të humbin. Të humbin sërish rastin duke vazhduar t’i bindin shqiptarët se nuk vlejnë për agjë tjetër përveçse për të mishëruar humbjen. Sot ju kishit mundësi të deklaronit fitoren”- tha Rama.
Mes të tjerash ironizoi sërish duke thënë se vërtet do të shoqërohej nga autoritetet amerikane, por për të marrë pjesë në Bordin e Paqes në Shtëpinë e Bardhë.
“Unë nuk tallem kurrë me fitoret tuaja dhe sot do votoni të vërtetën e madhe që unë nuk do ta detyroj ushtrinë amerikane t’i bashkohet protestës tuaj nga tarraca e kryeministrisë se do dorëzohem vetë paqësisht në duart e autoriteteve amerikane që do vijnë të më marrin me eskortë do më çojnë në Shtëpinë e Bardhë për t’u ulur si anëtar i Bordit të Paqes. Ju prisnit të fitonit me helikopterët e ushtrisë amerikane”- shtoi Rama. Versus.al


