
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se së shpejti do të ketë një sistem të ri të transportit urban e ndërurban me flotë autobusësh elektrikë të cilët do të administrohen nga bashkitë.
Ai tha se fokusi është përmirësimi i transportit publik për qytetarët dhe turistët të cilët e kanë të vështirë të lëvizin në pikun e sezonit.
“Do të adresojmë nevojën për të çuar në një nivel tjetër transportin uraban dhe ndërurban duke nisur nga transporti i domosdoshëm duke nisur nga transporti i domosdoshëm dhe faktikisht hallka më e dobët e sistemit tonë të industrisë së re të turizmit që është transporti i sezonit të pikut kur bëhet shumë e vështirë për turistët dhe vizitorët që të lëvizin me mjete të vëna në dispozicion nga sektori publik. Qëllimi është të hyjmë në një fazë ku gjenerata e re e mjeteve të transportit publik të jetë tërësisht e gjelbër. Flasim për autobusë elektrikë të cilët kanë zero ndotje, gjë që është tendencë e përgjithshme në Europë.
Për të ndërtuar një sistem të përdorimit të këtyre mjeteve nën administrimin e bashkive. Pra do të jetë qeveria së bashku me bashkitë që do të sigurojnë mjetet dhe bashkitë duhet të bëjnë administrimin e tyre. Nëpërmjet një sistemi që tanimë e kemi pilotuar me shumë sukses në bashkinë e Dibrës përsa i përket parkut logjistik që do ta shtrijmë në gjithë territorin. Do u shërbejë bashkive për të gjitha ato shërbime të domosdoshme të mirëmbajtjes, pastrimit, hapjes së kanaleve kulluese e ujitëse”- tha Rama mes të tjerash. Versus.al

