Teksa në KZAZ nr. 60 në Fier po vijon numërimi i fundit i votave preferenciale, drejtuesja politike e qarkut, Belinda Balluku, ka deklaruar për mediat se fitorja e thellë e Partisë Socialiste në këtë zonë është rezultat i kandidatëve.
Balluku veçoi në mënyrë të veçantë Ceno Klosin dhe Asforaj Haxhiun, mjek nga Lushnja, të cilin e vlerësoi maksimalisht për kontributin dhe figurën e tij.
Ajo gjithashtu përshëndeti ndjesën publike të deputetit demokrat Luan Baçi, pas humbjes së thellë të PD-së në Fier, duke e konsideruar si një akt qytetarie dhe përgjegjshmërie politike.
Sa i takon votës së diasporës, Balluku konfirmoi se po numërohen votat nga Greqia, ku pritshmëritë janë të larta në favor të Partisë Socialiste. Sipas saj, 12 mandatet në qarkun e Fierit janë të sigurta, ndërsa mundësinë që Nisma “Shqipëria Bëhet” të sigurojë një mandat, ajo e cilësoi shumë të vogël.
" Përsa i përket votës preferenciale e vlerësoj shumë se tregon që kemi bërë një zgjedhje të mirë në skuadrën tonë. Vota preferenciale është e shpërndarë në të gjithë listën, por nga ana tjetër kemi vendet e para siç është Ceno Klosi që kryeson listën me mbi 16 mijë vota, rasti i mjekut Asforaj Haxhiu nga Lushnja rreth 12 mijë vota apo rasti i Antoneta Dhimës më e votuara nga femrat mbi 6 mijë vota. E gjithë kjo tregon që kemi bërë zgjedhje të mira dhe nga ana tjetër kësaj radhe kemi patur një përfaqësim me njerëz që janë lindur dhe rritur këtu. Ceno Klosi ka lindur në Fier, është rritur dhe shkolluar këtu pastaj me kontribute në PS, me arritje në karrierën e tij. Siç është edhe rasti i Altit, vjen nga një familje socialiste në thelb, por ama është vlerësuar edhe për faktin që është një nga kirurgët më të mirë në Shqipëri, jo vetëm në Qark dhe njerëzit e njohin personalisht. Tregon që këtu është bërë një fushatë që njerëzit kanë arritur të njohin kandidatët se po të shohësh votat janë të shpërndara sipas zonave ku ata kanë punuar. Kjo tregon të gjithë suksesin e fushatës.
Nëse zoti Baçi e ka pranuar publikisht tregon qytetari dhe profesionalizëm.", u shpreh Balluku. /Versus.al/






