
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po synon që të kompletojë survejimin e plotë të çdo shqiptari me projektin “smart city”.
Berisha tha se ky projekt regjistron edhe vizitat e shqiptarëve tek miqtë e të afërmit, privatësinë e tyre në lokale dhe kudo shkojnë.
“Së pari, si projekt ky synon survejimin e plotë të lëvizjeve të çdo qytetari. Në qoftë se një vit më parë u vendosën në të gjitha kompanitë e telefonave aparaturat e regjistrimit të plotë të internetit dhe telefonave të celularëve me pretekstin e ndërprerjes së TikTokut, tani me Smart City, Edi Rama kompleton survejimin më të paligjshëm dhe më total të qytetarëve shqiptarë, të çdo lëvizje të tyre.
Ky përbën asgjësimin e plotë të privacisë së tyre, pasi ky sistem regjistron jo vetëm individin, por dhe fytyrën me të gjithë emotivitetin e saj të individit. Lëvizjet e tij në çdo destinacion. Vizitat e tij tek miqtë, tek të afërmit, tek shokët. Privacinë e tij në lokale dhe kudo që shkon. Kjo është vendosja e qytetarëve shqiptarë në kontroll të plotë, automjeteve të tyre, lëvizjeve të tyre"- u shpreh Berisha.
Më tej ai nënvizoi edhe faktin se projekti ka një kosto të kripur, në total 157 milionë euro. Sipas tij, deri më tani rezulton se për një kamera të rrugës parashikohet të paguhen 52 mijë euro.
“Çmimet e ofruara për realizimin e këtij projekti janë nga 10 gjer në 30-fishin e çmimeve për këto aparatura në treg. Kështu, në qoftë se kamera e trupit të policit kushton në këtë projekt 15.700 euro, ajo blihet kudo me 1000- 1500 euro. Në rast se kamera e rrugës kushton 52 mijë euro, kjo kamerë blihet lirshëm me 2 mijë euro. Pra është 25 herë më e shtrenjtë se sa gjendet në treg.
Kostot e projektit në tërësi rezultojnë, krahasuar me zbatimin e tyre në vendet e tjera, në proporcion të paktën 10-12 herë më të larta. Dhe në këtë aspekt, aq sa të dhënat e një individi janë private, ato bëhen shtetërore. Aq sa të dhënat e një shoqërie janë shtetërore, ato eksportohen në duart e kujtdo”- deklaroi Berisha.
Ndërsa më herët kryeministri Edi Rama tha se një projekt i tillë do t’i vijë në ndihmë policisë për të kapur personazhet e shpallur në kërkim dhe për të rritur sigurinë nëpër qytete. Versus.al


