Në podcastin “Flasim”, kryeministri Edi Rama ka folur për aksionin e qeverisë për lirimin e hapësirave publike, një proces që sipas tij po vijon prej muajsh në të gjithë vendin.
Rama u shpreh se vetëm në Tiranë janë çliruar rreth 140 mijë metra katrorë hapësirë publike, duke theksuar se ky nuk është një aksion i përkohshëm, por një angazhim i vazhdueshëm për të vendosur rregull në përdorimin e hapësirave të përbashkëta.
Ai tha se procesi po përballet me një “mentalitet të rrënjosur”, ndërsa shtoi se ndërhyrje të forta janë bërë edhe në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Sipas tij, aksioni po shtrihet edhe në zonat rurale dhe ato me potencial turistik, ku synohet ndalimi i ndërtimeve pa leje dhe zaptimeve të hapësirave publike.
Rama theksoi gjithashtu se po punohet për modele të reja urbanistike dhe një rregullore të përgjithshme, ku sipas tij parimi bazë do të jetë që 70% e hapësirës t’i mbetet publikut dhe komunitetit, ndërsa 30% përdorimit privat.
Kryeministri Rama:
Vazhdon, vazhdon, vazhdon me këmbëngulje lirimi i hapësirave publike dhe imponimi i një statusi të ri të hapësirës publike. Nuk është e lehtë. Është lufta me një mentalitet të rrënjosur, mesa duket ende më thellë sesa këto 30 e kusur vite. Mesa duket, i kombinuar edhe me mentalitetin e përpara kohës kur hapësirat publike ishin hapësirat e një shteti unik në një diktaturë të ashtuquajtur të proletariatit, ku proletarët i kishin të gjitha me fjalë dhe i kishin të gjitha bashkë, por s’kishin absolutisht asgjë.
Në ndërkohë që procesi, siç e kam thënë qysh në krye të herës, mbasi kemi fituar mandatin e katërt, nuk është një proces i përkohshëm, nuk është një aksion i një jave, një muaji, dy muajsh, por është një angazhim i vazhdueshëm, i vazhdueshëm, i vazhdueshëm për të rivendosur rregullin në përdorimin e hapësirave të përbashkëta.
Vetëm në Tiranë, ku janë identifikuar shumë problematika që lidhen me zaptime hapësirash publike, janë çliruar 140 mijë metra katrorë, që nuk janë pak, ndërsa në zona si, për shembull, zona këtu në qendër, janë ndërmarrë edhe ndërhyrje shumë të forta për të siguruar çlirimin e hapësirave publike.
Ajo që ka rëndësi të thuhet është se në të njëjtën kohë po shtrihemi edhe në zonat e banuara rurale, po shtrihemi edhe në zonat që, natyrisht, dhe pikërisht pse janë zona me interes turistik, nuk mund të jenë pika ku hidhen inerte e ku ngrihen ngrehina të pakuptimta pa leje dhe paralelisht po ecim me modelet e reja që do të zëvendësojnë ato të vjetrat në bazë të studimeve të bëra nga arkitektë dhe në bazë të punës së bërë nga bashkia, si dhe përfundojmë rregulloren e përgjithshme mbi bazën e së cilës pastaj të gjithë ata që funksionojnë në sipërmarrjen që lidhet me shfrytëzimin e hapësirës publike do të kenë të qartë se ku janë kufijtë e tyre.
Dhe faktikisht, parimi i thjeshtë do të jetë 70 me 30% i një hapësire, ku 70% do të jetë gjithmonë i publikut, do të jetë gjithmonë i komunitetit, do të jetë gjithmonë i atyre që ecin në këmbë.Versus.al


