
Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria ka ushtrinë më të mirëpaguar në rajon, madje edhe më të paguar sesa Serbia. Ndërsa tha se synimi është që rrogat të jenë si ato të vendeve të NATO-s.
“Kemi ushtrinë më të mirëpaguar në rajonin tonë, përfshirë edhe Serbinë sa për dijeni. Do vazhdojmë të rrisim pagat sepse mesatarja jonë është të arrijmë mesataren e vendeve të NATO-s. ky vit që hyn na gjen me një sistem raketor që e kemi në Shqipëri, na gjen me 3 anije patrulluese që i kemi dhuratë nga simotra jonë Italia”- u shpreh Rama.
Ndërsa shtoi më tej se planifikohet që në vazhdim Shqipëria të prodhojë sisteme antidron, mjete të blinduara, dronë luftarakë etj.
“Do të prodhojmë uniforma në vendin tonë dhe do prodhojmë edhe uniforma për të tjerët. Nuk e di a e keni dëgjuar, por ushtria suedeze qep uniforma në Shqipëri në një marrëveshje kontraktuale me një manifrakturë private këtu në Shqipëri. Do të prodhojmë mjete të blinduara. Tani që po flasim këtu po prodhohen autoambulanca, mjete patrullimi policor. Do të prodhojmë dronë luftarakë dhe do prodhojmë sisteme antidronë. Porositë e para janë kryer dhe në 6 mujorin e parë të 2026-ës do shihni produktet e para ndërkohë që ne do vazhdojmë punën me kontrata të tjera”- deklaroi kryeministri. Versus.al



