Ish-bashkëpunëtori i Ermal Nufit, ka reaguar publikisht pas emërimit të tij në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, duke e nisur mesazhin me shprehjen “Kudos (bravo) për zgjedhjen!”.
Në reagimin e publikuar Erlis Hereni,vlerëson vendimin e kryeministrit Edi Rama, ndërsa thekson profesionalizmin, përvojën juridike dhe aftësinë menaxheriale të Nufit.
Sipas Herenit, polemikat që kanë shoqëruar këtë emërim lidhen më shumë me perceptime dhe paragjykime sesa me vlerësime reale profesionale.
Ai shprehet se përzgjedhja e Nufit përbën një hap pozitiv për vazhdimin e reformave në sektorin e mbrojtjes dhe për modernizimin e strukturave përkatëse.
Në të njëjtin reagim, ai nënvizon se karriera e ministrit të ri është ndërtuar mbi eksperiencë konkrete pune dhe jo mbi mbështetje politike.
Ermal Nufi ka një formim të fortë juridik dhe është licencuar si avokat që nga viti 2013.
Ai ka shërbyer në poste të larta në administratën publike, duke përfshirë rolin e drejtorit të kabinetit të zv.kryeministres, Belinda Ballukut, këshilltar ligjor në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe zv.sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave.
Në vitet e fundit, Nufi ka mbajtur pozicione kyçe si kryetar i Bordit Menaxhues të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, duke dëshmuar aftësi të shkëlqyera drejtuese dhe koordinimi ndërinstitucional./Versus.al


