Kryeministri Edi Rama ka komentuar urdhër-arrestet e lëshuara nga Prokuroria e Durrësit për 33 persona, lidhur me çështjen e mbetjeve të rrezikshme të kompanisë “Kurum”, të cilat pas kthimit nga Tajlanda vijojnë të qëndrojnë në Porto Romano.
Gjatë fjalës së tij në podkastin “Flasim”, Rama e cilësoi vendimin e prokurorit si të padrejtë, duke theksuar se masa e “arrestit me burg” nuk përmbush asnjë nga kushtet e përcaktuara nga drejtësia demokratike dhe standardet e Këshillit të Europës.
Kryeministri Rama: Në ndërkohë, kam dhe diçka tjetër. Kujtdo që ka vënë buzën në gaz apo ka nxjerrë gjuhën jashtë pas mosvendimit të Kushtetueses dhe e bën hosana dhe fërkon duart me kuturisjet e modës së re të arresteve pa gjyq, të cilat arritën një kulm të ri këtë javë me 30 e kusur fletë-arresti të prera nga një prokuror në Durrës, i cili në fakt nuk paraburgosi vetëm veten e vet, - se të gjitha çfarë kishte rreth e rrotull për një çështje që nuk përmbush asnjë kusht, zero, hiç nga ato që Këshilli i Europës dhe drejtësia demokratike përcakton si kushte të domosdoshme për arrestin, - i futi në një thes, - u them një gjë, - kush beson se përpjekja e natyrshme për shtetin ligjor e të gjithëve bashkë, e jona, qeveri, parlament, drejtësi, me të gjitha të përpjetat dhe të tatëpjetat e saj, arritjet dhe lajthitjet e drejtësisë së re, do të prodhojë ndonjëherë kosto për këtë shumicë qeverisëse, të cilat do ta kthejnë në punë mullirin e prishur të opozitave, gabon ditë dhe natë sepse nuk kupton atë që e kupton shumë qartë populli shqiptar, njeriu i zakonshëm i Shqipërisë. Lufta për drejtësi, për shtet ligjor demokratik, për Shqipërinë europiane në Bashkimin Europian, ka vetëm një garant, ende sot për sot, mua dhe këtë shumicë qeverisëse. Kaq e thjeshtë është!/ Versus.al


