
Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës në Konferencën Ndërkombëtare për Qeverisje, teksa foli për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, ka bërë një deklaratë me tone humori.
Ai u shpreh se qëllimi i vendit është të ndërtojë institucione funksionale sipas standardeve evropiane, por duke theksuar me ironi se Shqipëria nuk do të bëhet kurrë si Gjermania, “larg qoftë”, por më tepër si një vend mesdhetar, si Italia apo të ngjashme.
“Trashëgimia më e madhe që mund t’u lëmë fëmijëve tanë është një shtet ku institucionet funksionojnë si në vendet anëtare të BE-së. Jo si Gjermania, larg qoftë, por si një shtet mesdhetar. Ne nuk kemi për t’u bërë kurrë Gjermani, ndaj duhet të ruajmë atë pjesë të gëzueshme të jetës sonë që na karakterizon”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se kjo qasje është edhe arsyeja pse shumë ambasadorë që shërbejnë në Shqipëri zgjedhin të zgjasin qëndrimin e tyre përtej mandatit zyrtar dhe ndihen të trishtuar kur u vjen momenti i largimit.
Edi Rama: Nëse bëhemi një vend që vepron si një institucion si vend anëtar i BE do ishte trashëgimia më e madhe që ne mund ti japim fëmijëve tanë për t’u rritur dhe të jetojnë në një shtet ku institucionet funksionojnë, jo si në Gjermani larg qoftë, por le të themi si në Italia po vend tjetër mesdhetar. Ne asnjëherë nuk kemi për tu bërë Gjermani dhe kemi ndihmën e BE, ndaj kemi nevojë që të humbasim mundësinë disa gjëra të vogla, pjesën e gëzueshme të jetës.
Kjo është arsyeja pse të gjithë ambasadorët dëshirojnë që të qëndrojnë më gjatë në Shqipëri se sa është misioni i tyre dhe kur largohen janë të trishtuar./Versus.al







