Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar sot shkarkimet dhe emërimet e reja në qeverinë “Rama 3”. Dekretimi vjen dy ditë pasi kryeministri Edi Rama dorëzoi në presidencë propozimet për ministrat e rinj të kabinetit dhe lëvizje brenda qeverisë.
Paraditen e sotme, Begaj dekretoi:
shkarkimin e Niko Peleshit si ministër i Mbrojtjes dhe emërimin e Piro Vengut si drejtues i këtij dikasteri.
shkarkimin e Taulant Ballës si ministër i Brendshëm dhe emërimin e Ervin Hoxhës në vend të tij.
shkarkimin e Elisa Spiropalit si ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe emërimin e Taulant Ballës në vend të saj
shkarkimin e Ervin Metes si ministër i Financave dhe emërimin e Petrit Malajt në vend të tij.
Me dekretimet e Begajt, i hapet rruga Kuvendit për seancën e jashtëzakonshme ditën e sotme që pritet të mbahet rreth orës 17:00 ku pritet të votohet me votë të fshehtë Elisa Spiropali si kryeparlamentare dhe me votë të hapur ministrat e rinj. Nga ana tjetër Partia Demokratike pretendon se nuk është njoftuar për seancë të jashtëzakonshme dhe se sipas rregullit, një gjë e tillë duhej të ishte bërë para 48 orësh.
Ndryshimet në qeveri të cilat Rama i lajmëroi gjatë kongresit të PS të dielën, surprizuan jo pak pasi kreu i qeverisë zgjodhi emra jo politikë në krye të disa prej dikastereve më të rëndësishme të shtetit. Opozita e cilësoi këtë si një lëvizje të Ramës për të pasur pushtet të plotë mbi çdo dikaster. Versus.al








